Buxheti i Bashkisë Bulqizë për vitin 2026 u miratua më 24 dhjetor 2025 mes tensioneve, debateve dhe kundërshtive nga banorët e pranishëm në sallë dhe opozita. Që para nisjes së mbledhjes së Këshillit Bashkiak, situata u përshkallëzua, pasi Policia Bashkiake kishte bllokuar hyrjen e godinës, duke ndaluar disa banorë të Njësisë Administrative Fushë-Bulqizë që të hynin për të ndjekur mbledhjen.
Sipas banorëve, ndalimi i tyre u bë për të shmangur reagimet ndaj projekt-buxhetit, i cili parashikon për këtë njësi administrative vetëm rreth 120 mijë euro investime për vitin 2026, duke e renditur Fushë-Bulqizën si njësinë me fondet më të ulëta të alokuara. Kjo ndodhi pavarësisht se gjatë dëgjesës publike të zhvilluar në muajin tetor, banorët kishin ngritur një sërë shqetësimesh lidhur me rrugët, shkollat dhe shërbimet bazë.
Ndërkohë, rreth 20 banorë të fshatit Dushaj ishin thirrur paralelisht në zyrën e kryetares së Bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri, për të diskutuar problematikën e rrugës së fshatit. Vetë kryetarja deklaroi më pas se ishte gjetur një zgjidhje për këtë shqetësim.
Pas ndërhyrjes së këshilltarëve të opozitës, banorët e ndaluar fillimisht u lejuan të hynin në institucion dhe të ndiqnin mbledhjen, por tensionet vijuan edhe brenda sallës.
Banorët e qytetit: “Bulqiza pa asnjë investim”
Në sallë ishin të pranishëm edhe përfaqësues të banorëve të Njësisë Administrative Bulqizë, të cilët kërkuan sqarime mbi mënyrën e ndarjes së buxhetit për vitin 2026. Ata ngritën shqetësimin se në qytetin e Bulqizës nuk është parashikuar asnjë investim i drejtpërdrejtë, duke e konsideruar këtë një shpërndarje të padrejtë të fondeve.
Sipas banorëve, për vitin 2026 për qytetin e Bulqizës dhe njësinë Martanesh janë planifikuar vetëm rreth 80 mijë euro për sinjalistikë rrugore, një vlerë që ata e cilësuan të papranueshme për qendrën kryesore administrative të bashkisë. Debati u shoqërua me përplasje verbale dhe tensione, ndërsa kërkesat e banorëve mbetën pa përgjigje konkrete.
Pas këtij debati, me urdhër të kryetarit të Këshillit Bashkiak, Arben Çupi, u kalua menjëherë në votim për miratimin e pikës së rendit të ditës, pa u dhënë hapësirë të mëtejshme diskutimeve.
Sipas dokumentit zyrtar “Mbi listën e investimeve për vitin 2026”, fondet e planifikuara nga Bashkia Bulqizë do të përqendrohen kryesisht në investime infrastrukturore, me fokus pothuajse tërësor në rrugë. Pjesa më e madhe e buxhetit të investimeve do të shkojë për sistemim-asfaltimin e rrugëve në disa njësi administrative, përfshirë aksin Viçisht–Klenjë, lagjen Priftak në Sopot, disa lagje në Shupenzë dhe rrugën e fshatit Kodra e Danit në Fushë-Bulqizë. Një fond më i kufizuar është parashikuar për shërbime urbane në qytetin e Bulqizës dhe Krastës, konkretisht për vijëzime dhe vendosje tabelash rrugore.
Buxheti i Bashkisë Bulqizë për vitin 2026 parashikohet në një vlerë totale prej rreth 10.08 milionë euro, nga të cilat 1.4 milionë euro janë të ardhura të veta të bashkisë. Pesha kryesore e financimit vjen nga transferta e pakushtëzuar, e cila arrin në rreth 4.75 milionë euro, si dhe nga transferta e pakushtëzuar sektoriale me rreth 2.16 milionë euro, ndërsa të ardhurat e trashëguara kapin vlerën e afro 1.77 milionë eurove. Sa i përket shpenzimeve, mbi gjysmën e buxhetit e zënë shpenzimet për personelin, me rreth 5.35 milionë euro ose 53% të totalit. Shpenzimet operative parashikohen në rreth 2.29 milionë euro (23%), ndërsa shpenzimet kapitale, të destinuara kryesisht për investime, arrijnë në rreth 2.43 milionë euro, duke zënë 24% të buxhetit vjetor.
Investimet e planifikuara për vitin 2026 do të financohen me keste dhe do të vazhdojnë të paguhen deri në vitin 2028, pasi në buxhetin e vitit 2026 fonde faktike për të mbuluar të gjitha projektet janë vetëm afro 700 mijë euro. Kjo do të thotë se pjesa tjetër e investimeve do të kalojë në financim të vazhdueshëm gjatë dy viteve të ardhshme, duke shtrirë pagesat dhe zbatimin e projekteve infrastrukturore në kohë më të gjatë.
Përplasjet për fondet e njësive
Një tjetër debat në sallë lidhej me fondin e parashikuar për Njësinë Administrative Fushë-Bulqizë. Përplasja verbale u zhvillua mes këshilltarit të opozitës Shaqir Manjani dhe kryetares së bashkisë, Festime Mjeshtri.
Opozita argumentoi se fondi prej rreth 120 mijë eurosh është i pamjaftueshëm dhe nuk pasqyron nevojat reale të komunitetit, duke sjellë në vëmendje problematikat e ngritura vazhdimisht në dëgjesat publike, veçanërisht për infrastrukturën rrugore në fshatrat Dushaj dhe Koçaj, si dhe për shkollat dhe shërbimet bazë. Sipas këtij qëndrimi, mungesa e reflektimit të këtyre kërkesave tregon se njësia administrative po penalizohet, pavarësisht ankesave të përsëritura të banorëve.
Nga ana tjetër, kryetarja e bashkisë dhe përfaqësues të administratës mbrojtën projekt-buxhetin, duke deklaruar se janë zhvilluar takime dhe dëgjesa me banorët dhe se investimet janë shpërndarë duke marrë parasysh edhe ndërhyrjet e realizuara në vitet e mëparshme. Mjeshtri theksoi se në vitet e kaluara janë asfaltuar disa segmente rrugore në këtë njësi dhe se problematika e ngritur nga banorët e fshatit Dushaj ishte trajtuar përmes një takimi të zhvilluar para mbledhjes.
Opozita deklaroi se është e papranueshme që për disa vite me radhë njësitë administrative Ostren dhe Martanesh të rezultojnë me zero lekë investime të planifikuara në buxhetin e Bashkisë Bulqizë, duke e konsideruar këtë një neglizhencë të hapur ndaj banorëve të këtyre zonave. Sipas tyre, dëgjesat publike të zhvilluara në këto njësi janë përdorur vetëm si show formal, pa asnjë reflektim real në projektbuxhet, ndërsa kërkesat dhe problematikat e ngritura nga komuniteti nuk janë përfshirë në planifikimin financiar të bashkisë.
Miratimi me forcën e kartonit
Në përfundim, buxheti i Bashkisë Bulqizë për vitin 2026 u miratua me 13 vota pro, të këshilltarëve të Partisë Socialiste dhe partive të vogla. Në sallë ishin të pranishëm 16 anëtarë, ndërsa ligji parashikon se për miratimin e buxhetit nevojiten të paktën 11 vota nga 21 anëtarë që ka Këshilli Bashkiak.
Grupi i këshilltarëve të opozitës në Këshillin Bashkiak Bulqizë – me propozim të Veap Halilit – depozitoi zyrtarisht një paketë me 15 amendamente për ndryshime në projekt-buxhetin e vitit 2026, por kjo kërkesë nuk u mor në shqyrtim. Megjithëse amendamentet parashikonin riorientimin e fondeve drejt shërbimeve sociale, arsimit parashkollor, sportit, mjedisit dhe investimeve infrastrukturore, ato nuk u përfshinë në rendin e votimit – kjo me vendim të kryetarit të këshillit, Arben Çupi. Ai nuk lejoi që propozimet e opozitës të hidhen për votë, duke e mbyllur procedurën pa debat dhe pa vendimmarrje mbi amendamentet. Si pasojë, buxheti për vitin 2026 u miratua pa asnjë ndryshim nga propozimet e opozitës.
Opozita kundërshtoi mënyrën e procedimit, duke theksuar se votimi u krye me nxitim dhe pa u marrë në konsideratë asnjë nga amendamentet e depozituara për ndryshime në buxhet. Sipas tyre, me drejtimin e kryetarit të Këshillit Bashkiak, Arben Çupi, u shmang debati dhe u përdor “forca e kartonit” dhe arroganca për të miratuar buxhetin, duke mos lejuar diskutimin e plotë të anëtarëve të opozitës dhe kërkesave të banorëve.
Anëtarët e opozitës që votuan kundër buxhetit i thanë Bulqizaime.al se këshilltarët nga radhët e partive të vogla kanë votuar nën trysni të drejtpërdrejtë nga kryetarja e Bashkisë Bulqizë, duke e cilësuar buxhetin e miratuar si një “buxhet turpi” që nuk u shërben qytetarëve. Sipas tyre, një pjesë e këtyre këshilltarëve janë punësuar në institucione të tjera publike pas marrjes së mandatit, si drejtues apo “figurantë” në listat e pagave, ndërsa edhe anëtarë të familjeve të tyre rezultojnë të punësuar në institucione publike, çka i mban ata nën presion të vazhdueshëm për ruajtjen e pozicioneve. Opozita shtoi se janë për t’u vlerësuar dhe falënderuar këshilltarët e tjerë të Partisë Socialiste që zgjodhën të braktisin votimin, duke theksuar se “nuk mund të njollosnin emrin dhe profesionalizmin e tyre në këtë qytet për t’u bërë pjesë e një maskarade të tillë të udhëhequr nga Mjeshtri dhe Çupi”.




