
Çështja e riorganizimit dhe lëvizshmërisë së automjeteve të transportit të udhëtarëve në qytetin e Bulqizës, pritet të rikthehet sërish për diskutim në mbledhjen e Këshillit Bashkiak që do të zhvillohet më 24 dhjetor. Edhe pse në rendin e ditës janë një sërë çështjesh dhe parashikuar miratimi i buxhetit të Bashkisë për vitin 2026, burime nga këshilli bëjnë me dije se do të kërkohet nga disa këshilltar përfshirja edhe e këtij problemi, për shkak të tensioneve të vazhdueshme dhe interesit të lartë publik.
Në sallë pritet të jenë sërish të pranishëm përfaqësues të bizneseve të zonës, të cilët kanë shprehur shqetësimin se mënyra aktuale e organizimit të qarkullimit dhe mungesa e pikave të ndalimit për udhëtarët, po dëmton aktivitetin ekonomik dhe po kufizon lëvizjen e qytetarëve në disa zona të qytetit.
Problematika ka shkaktuar debate edhe në mbledhjet e mëparshme të Këshillit Bashkiak, ku janë ngritur akuza për mungesë transparence në vendimmarrje dhe për mospërgjigje ndaj kërkesave për informacion nga Bashkia Bulqizë, lidhur me funksionimin e linjave urbane dhe ndërqytetase. Sipas këshilltarëve, vendimet aktuale janë marrë pa një analizë të plotë ligjore dhe studimore, duke krijuar një situatë të paqartë për qytetarët dhe bizneset.
Në diskutimet e mëparshme është theksuar se qyteti ka nevojë për disa stacione ndalimi të shpërndara në zona të ndryshme, për të garantuar qarkullim normal dhe për të shmangur përqendrimin e gjithë lëvizjes në një pikë të vetme. Sipas këtij qëndrimi, modeli aktual ka krijuar bllokime artificiale dhe ka penalizuar zonat ku bizneset funksionojnë prej vitesh.
Mbledhja e Këshillit Bashkiak e datës 10 dhjetor dështoi të marrë një vendim për këtë çështje, ashtu si edhe seanca e mëparshme e 4 dhjetorit, e cila u ndërpre pas përplasjeve në sallë mes përfaqësuesve të shoqërisë që administron vendqëndrimin dhe pjesëtarëve të tyre nga njëra anë, dhe këshilltarëve bashkiakë. Pika e diskutuar parashikonte caktimin e një stacioni për hypjen dhe zbritjen e udhëtarëve në afërsi të gjimnazit të qytetit dhe rishikimin e skemës së lëvizjes së mjeteve.
Një pjesë e këshilltarëve dhe bizneset kërkojnë hapjen e rrugëve alternative dhe pika të reja ndalimi. Shoqëria administruese e vendqëndrimit aktual të mjeteve të udhëtarëve ka kundërshtuar çdo ndryshim, duke argumentuar se këto ndërhyrje bien ndesh me kontratën ekzistuese me bashkinë.
Debatet e vazhdueshme dhe mungesa e një vendimmarrjeje përfundimtare kanë bërë që çështja të shtyhet disa herë, ndërsa edhe mbledhja e nesërme pritet të shoqërohet me diskutime, në një seancë ku vëmendja kryesore do të jetë buxheti i vitit 2026.
Në mbledhjet e mëparshme të Këshillit Bashkiak, kur në sallë ishin të pranishëm banorë dhe përfaqësues të bizneseve të zonës për të ndjekur dhe reaguar ndaj diskutimeve mbi këtë çështje, kryetarja e Bashkisë, Festime Mjeshtri u largua nga salla për tu rikthyer vetëm pasi ata ishin larguar.