Aksidentet në miniera mbi mesataren e BE-së, strategjia 2026–2040 pranon dështimet në siguri

Share

Zona mineral-mbajtëse D në Bulqizë. Foto: Bulqizaime.al

Siguria dhe shëndeti në punë vijojnë të mbeten një nga pikat më problematike të sektorit minerar në Shqipëri, ndërsa aksidentet rezultojnë ende mbi mesataren e Bashkimit Evropian. Strategjia Kombëtare për Zhvillimin e Sektorit Minerar 2026–2040 pranon se situata aktuale është e ndikuar nga mungesa e trajnimeve të rregullta, monitorimeve dixhitale të parametrave jetësore, veçanërisht në minierat nëntokësore, si dhe nga përdorimi i pajisjeve mbrojtëse dhe teknologjive të vjetruara.

Dokumenti evidenton se shumë operatorë minerarë vazhdojnë të funksionojnë me teknologji të amortizuara, ndërkohë që inspektoratet shtetërore, përballen me mungesë të theksuar personeli dhe pajisjesh për kontroll efektiv në terren. Këto kushte e bëjnë të vështirë zbatimin e standardeve të sigurisë dhe rrisin rrezikun për aksidente serioze në vendin e punës.

Sipas Strategjisë për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë 2024–2030, të hartuar nga Ministria e Ekonomisë, sektorët me numrin më të lartë të aksidenteve mbeten ndërtimi, minierat dhe bujqësia, duke konfirmuar se industria nxjerrëse është një nga fushat më të ekspozuara ndaj rrezikut profesional. Për këtë arsye, strategjia e re minerare e konsideron sigurinë në punë si një nga shtyllat kryesore të modernizimit të industrisë.

Për periudhën 2026–2040, sfida kryesore do të jetë krijimi i një kuadri të integruar mjedisor dhe teknik, i cili lidh sigurinë në punë, mbrojtjen e mjedisit dhe rehabilitimin e zonave minerare me zhvillimin e qëndrueshëm industrial. Kjo qasje synon të sigurojë përgjegjshmëri gjatë gjithë ciklit jetësor të një projekti minerar, nga faza e kërkimit dhe shfrytëzimit deri te mbyllja dhe rehabilitimi përfundimtar.

Në këtë kuadër, strategjia parashikon forcimin e kapaciteteve të institucioneve publike, harmonizimin e plotë me Direktivën 2006/21/KE për menaxhimin e mbetjeve nga industria nxjerrëse, si dhe përafrimin me Aktin Evropian për Lëndët e Para Kritike. Po ashtu, dokumenti nënvizon nevojën për rivendosjen e mekanizmave financiarë dhe fiskalë që do të garantojnë përgjegjshmëri mjedisore dhe teknike të operatorëve minerarë.

Një nga masat prioritare të strategjisë është forcimi i kapaciteteve inspektuese. Parashikohet pajisja e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë dhe Emergjencave në Miniera (AKSEM) me infrastrukturë moderne inspektimi, përfshirë pajisje matëse për ventilimin, gazrat, stabilitetin gjeoteknik dhe pajisje personale sigurie. Njëkohësisht, synohet rritja e numrit të inspektorëve dhe përmirësimi i nivelit të tyre profesional përmes trajnimeve të vazhdueshme.

Strategjia parashikon gjithashtu rishikimin e plotë të Rregullores së Sigurisë Minerare, me qëllim harmonizimin e saj me standardet e Bashkimit Evropian. Rregullorja e re do të përcaktojë qartë detyrimet e operatorëve, procedurat e menaxhimit të rrezikut dhe mekanizmat e raportimit të aksidenteve.

Një tjetër element kyç është kalimi nga kontrollet sporadike te monitorimi i vazhdueshëm në kohë reale. Dokumenti synon instalimin e sistemeve dixhitale për monitorimin e parametrave kritikë si ventilimi, përqendrimi i gazrave, stabiliteti i galerive dhe niveli i ujit në miniera, me transmetim të të dhënave drejt qendrave të kontrollit për reagim të shpejtë dhe parandalim të aksidenteve.

Në aspektin e trajnimit, strategjia parashikon një Program Kombëtar Trajnimesh për punonjësit e sektorit minerar, të fokusuar në përdorimin e pajisjeve mbrojtëse, procedurat e emergjencës dhe raportimin e incidenteve. Po ashtu, do të vendoset auditimi teknik i detyrueshëm, me synimin që 100% e minierave aktive të auditohen çdo vit për integritetin e sistemeve teknike dhe përputhshmërinë me rregullat e sigurisë.

Deri në vitin 2030, strategjia synon përafrimin e plotë të Shqipërisë me direktivat e BE-së për sigurinë dhe shëndetin në punë në industrinë nxjerrëse.




bulqizaime.al

Reklama
Back to top button