BE: Gjobë prej 120 milionë eurosh për platformën X. Reagon ashpër Elon Musk: Bashkimi Europian duhet të shfuqizohet!

Share

Megjithë kërcënimet e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Komisioni i BE-së vendosi një gjobë prej disa milionë eurosh ndaj shërbimit online X të miliarderit amerikan Elon Musk.

Komisioni Evropian e gjobiti shërbimin online të Elon Musk-ut me 120 milionë euro për mungesë transparence në reklama dhe llogaritë e përdoruesve. “Detyra jonë është që të sigurojmë që legjislacioni ynë digjital të zbatohet”, theksoi Komisionerja e BE-së për Çështjet Digjitale, Henna Virkkunen, në Bruksel. Kjo është gjoba e parë e vendosur nga Komisioni sipas Ligjit të BE-së për Shërbimet Digjitale (DSA).

Llogari të rreme përdoruesish me pagesë, reklama të paqarta

Autoritetet e Brukselit nisën hetimin kundër X në dhjetor 2023. Ndër të tjera Brukseli akuzon platformën X për përdorimin e shenjës së bardhë e blu për llogari përdoruesish me pagesë për të sugjeruar në mënyrë të rreme se këto llogari janë autentike dhe të verifikuara. Komisioni i BE-së gjithashtu kritikon faktin se nuk është gjithmonë e qartë se kush qëndron pas reklamave. Hetimi zbuloi gjithashtu se X nuk u dha studiuesve qasje në të dhënat publike në përputhje me rregulloret e DSA-së.

Komisionerja e BE-së për Çështjet Digjitale, Henna Virkkunen
Komisionerja e BE-së për Çështjet Digjitale, Henna Virkkunen: “Detyra jonë është që të sigurojmë që legjislacioni ynë digjital të zbatohet”Fotografi: MARTIN BERTRAND/Hans Lucas/AFP/Getty Images

BE-ja po zhvillon hetime të mëtejshme kundër shërbimit online X të Musk-ut. Këto hetime përqendrohen ndër të tjera në mënyrën se si X lufton shpërndarjen e përmbajtjeve të paligjshme dhe manipulimin e informacionit.

Donald Trump kërcënon me tarifa të mëtejshme

Aktakuza kundër X mund të zemërojë Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, administrata e të cilit ka kritikuar vazhdimisht ligjet digjitale të BE-së. Trumpi ka kërcënuar se do të vendosë tarifa të reja për importet nga vendet, ligjet e të cilave, sipas tij, synojnë të “dëmtojnë” teknologjinë amerikane. Pavarësisht këtyre kërcënimeve, BE-ja ka deklaruar vazhdimisht se synon të zbatojë rregullat e saj.

Donald Trump dhe Elon Musk ne Oval Office
Aktakuza kundër X mund të zemërojë Presidentin e SHBA-së Donald Trump, administrata e të cilit ka kritikuar vazhdimisht ligjet digjitale të BE-së.Fotografi: CNP/MediaPunch/IMAGO

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, e akuzoi në një postim në platformën X BE-në, se po sulmon “kompanitë amerikane për gjëra të pakuptimta”. Ai tha se BE-ja duhet të mbrojë lirinë e fjalës dhe jo të sulmojë kompanitë amerikane për gjëra pa vlerë.

Reagimi nga Gjermania

Ministri gjerman i Çështjeve Digjitale, Karsten Wildberger (CDU), e përshëndeti vendimin e Komisionit. Legjislacioni digjital evropian vlen “për të gjithë, pavarësisht nga vijnë”, tha ai. Ai bazohet “në vlerat evropiane dhe këto, sigurisht, duhet të zbatohen dhe mbrohen”.

Në të njëjtën kohë politikani i CDU-së tha se e konsideron gjobën e vendosur ndaj X si shumë të lartë.

Wildberger  kërkoi gjithashtu një përqendrim më të madh në zhvillimin e zgjidhjeve digjitale në Evropë. Sovranitet digjitalnuk do të thotë vetëm rregullim, por edhe “të jesh në gjendje të mbash ritmin në fushën e teknologjisë”, argumentoi ministri, duke iu referuar industrisë evropiane të teknologjisë. DW

Elon Musk ka sulmuar ashpër Bashkimin Europian pas vendimit për gjobën e platformës së tij X me 120 milionë euro.

“BE-ja duhet të shfuqizohet dhe sovraniteti t’u kthehet vendeve individuale, në mënyrë që qeveritë të mund të përfaqësojnë më mirë qytetarët e tyre”, ka deklaruar miliarderi.

Gjoba e vendosur nga Komisioni Europian vjen pas gati dy vitesh hetimesh lidhur me shkeljet e dyshuara të Aktit të Shërbimeve Dixhitale (DSA), një rregullore e re e BE-së për transparencën dhe përgjegjshmërinë e rrjeteve sociale.

Sipas Brukselit, X ka dështuar të respektojë detyrimet ligjore për transparencë, raportim dhe verifikim të burimeve. Ky vendim ka shkaktuar reagime të menjëhershme politike, si në SHBA ashtu edhe në Evropë.


starnews.al

Reklama
Back to top button