7 miliardë dollarë për ndërtimin e anijeve luftarake, firmoset marrëveshja mes Australisë dhe Japonisë

Share

Australia dhe Japonia kanë nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme për ndërtimin e anijeve luftarake, në një projekt që kap vlerën e rreth 10 miliardë dollarëve australianë (rreth 6.5 miliardë dollarë amerikanë).

Kjo është shitja më e rëndësishme ushtarake e Tokios që nga heqja e ndalimit për eksportet ushtarake në vitin 2014.

Reuters shkruan ministrat e Mbrojtjes Richard Marles dhe Shinjiro Koizumi nënshkruan një memorandum që “ripohoi angazhimin e përbashkët të qeverive të Australisë dhe Japonisë për realizimin me sukses” të anijeve luftarake.

Sipas marrëveshjes, tre anijet e para do të ndërtohen në Japoni nga kompania Mitsubishi Heavy Industries dhe pritet të dorëzohen brenda tre viteve. Ndërkohë, Australia planifikon të ndërtojë edhe tetë anije të tjera në një kantier detar në Australinë Perëndimore.

Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në bordin e një anijeje japoneze luftarake, e ankoruar pranë qytetit të Melburnit, ku morën pjesë ministrat e mbrojtjes të të dy vendeve.

Këto anije të reja do të zëvendësojnë flotën aktuale të Australisë, e cila konsiderohet e vjetruar dhe më e rrezikuar nga teknologjitë moderne si raketat dhe dronët.

Zyrtarët australianë e cilësuan këtë projekt si një hap të madh për forcimin e ushtrisë detare të vendit. Anija e parë pritet të mbërrijë në Australi në vitin 2029.

Marrëveshja shihet gjithashtu si një forcim i bashkëpunimit ushtarak mes Japonisë dhe Australisë. Japonia po rrit ndjeshëm investimet në mbrojtje dhe po zgjeron partneritetet përtej aleatit të saj kryesor, Shteteve të Bashkuara.

Një nga arsyet kryesore pse Australia zgjodhi modelin japonez është se këto anije kërkojnë më pak personel për t’u operuar, duke ulur kostot dhe rritur efikasitetin.

Anijet e reja do të pajisen me raketa moderne dhe do të kenë aftësi për të operuar edhe helikopterë luftarakë, duke e bërë flotën australiane më të fortë dhe më të përgatitur për sfidat e ardhshme.


starnews.al

Reklama
Back to top button