Arrestohet në Bruksel ish-përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini

Share

Ajo u ndalua, në kuadër të hetimeve dhe bastisjeve të kryera pranë Kolegjit të Evropës dhe Shërbimit për Veprim të Jashtëm (SEAE). Kështu raporton e përditshmja belge “L’Echo”

Ish-Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Federica Mogherini është arrestuar këtë të martë, 2 dhjetor 2025, nga forcat e rendit të Belgjikës.

Ajo u ndalua, në kuadër të hetimeve dhe bastisjeve të kryera pranë Kolegjit të Evropës dhe Shërbimit për Veprim të Jashtëm (SEAE). Kështu raporton e përditshmja belge “L’Echo”.

Më herët doli se autoritetet belge kishin arrestuar tre të dyshuar për një mashtrim të dyshuar të lidhur me formimin e financuar nga BE-ja për diplomatët e rinj.

Bastisjet, të kryera me kërkesë të Prokurorisë Evropiane (EPPO) dhe të miratuara nga gjykatësi hetues dhe Policia Federale belge, u zhvilluan pranë SEAE në Bruksel, në ndërtesat e Kolegjit të Evropës në Bruges dhe në banesa private.

Hetimet lidhen me Akademinë Diplomatike të Bashkimit Evropian, një program formimi për diplomatët e rinj në vendet e BE-së.

Në total janë ndaluar tre persona e mes tyre edhe Mogherini. Hetimi lidhet me dyshime për favorizim dhe konkurrencë të padrejtë në dhënien nga shërbimi diplomatik i BE-së Kolegjit të Evropës të një programi trajnimi nëntëmujor të destinuar për diplomatët e ardhshëm evropianë, Akademinë Diplomatike të Bashkimit Evropian.

Faktet e kontestuara i përkasin periudhës 2021-2022 dhe veprat e dyshuara janë mashtrim në dhënien e kontratave publike, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje e sekretit profesional.

I arrestuar edhe zyrtari i lartë i Komisionit Europian

Përveç Federica Mogherinit, disa zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian dhe punonjës të Kolegjit të Europës janë ndaluar nga policia belge, në kuadër të një hetimi për përdorim të dyshuar të fondeve të BE-së.

Stefano Sannino, zyrtar i lartë i Komisionit Evropian dhe ish-sekretar i përgjithshëm i Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS) gjatë mandatit të Mogherinit, u ndalua gjithashtu. Ai aktualisht drejton departamentin për Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Gjirin në Komisionin Evropian.

Një tjetër punonjës i Kolegjit të Europës, i përfshirë në departamentin e edukimit ekzekutiv, gjithashtu është ndaluar. Hetimi përfshin bastisje në ndërtesat e EEAS, në Kolegjin e Europës dhe në disa banesa private. Komisioni Evropian konfirmoi prani policore dhe tha se hetimi është në zhvillim, pa dhënë më shumë detaje.

Ndërkohë, Rusia nuk ka humbur asnjë mundësi për të komentuar mbi incidentin. “Bashkimi Evropian preferon të injorojë problemet e veta të ‘korrupsionit’, por vazhdimisht u jep leksione të tjerëve”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, për agjencinë e lajmeve Tass.


starnews.al

Reklama
Back to top button