
Presidenti amerikan, Donald Trump dhe kryebashkiaku i zgjedhur i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, dolën nga takimi i tyre të premten me një aleancë të pazakontë, duke rënë dakord të bashkëpunojnë për çështjet që prekin drejtpërdrejt punëtorët dhe shtresat me të ardhura të ulëta: Strehimin, çmimet e ushqimeve dhe koston e jetesës.
“Ramë dakord për shumë më tepër sesa mendoja”, tha Trump nga Zyra Ovale, teksa disa herë e mbrojti Mamdanin nga pyetjet e ashpra të gazetarëve.
Takimi, i pritshëm të ishte i tensionuar për shkak të muajve të retorikës së ashpër ku Trump e etiketonte Mamdanin si një “komunist të çmendur” përfundoi me tone miqësore, komplimente dhe zotime për bashkëpunim mes presidentit republikan dhe socialistit demokrat që fitoi bindshëm zgjedhjet e nëntorit me mbi 50% të votave.
“Kam shumë besim se ai mund të bëjë një punë shumë të mirë”, tha Trump pas takimit.
“S’ka rëndësi partia, s’ka rëndësi asgjë tjetër. Ne do ta ndihmojmë për ta bërë Nju Jorkun një vend më të fortë dhe më të sigurt”, tha ai.
Trump e përgëzoi Mamdanin për fitoren, duke e quajtur “një garë të jashtëzakonshme kundër njerëzve shumë të zgjuar”. Të dy shtrënguan duart, ndërsa presidenti vuri në dukje se Mamdani mund të surprizojë si konservatorët ashtu edhe liberalët.
Për Mamdanin, takimi ishte një konfirmim i strategjisë së tij për të zhvendosur debatin nga ideologjia tek ekonomia. Ai e quajti takimin “produktiv” dhe të fokusuar te “dashuria dhe admirimi i ndërsjellë për qytetin e Nju Jorkut”.
“Folëm për qiratë, për çmimet e ushqimeve, për faturat, për të gjitha mënyrat se si njerëzit po shtyhen jashtë”, tha ai pas takimit. Trump shtoi se kishin “shumë ide të përbashkëta” për uljen e kriminalitetit dhe ndërtimin e banesave.
Ky ishte takimi i parë ballë për ballë mes presidentit republikan dhe politikanit të majtë, i cili deri para pak muajsh ishte deputet i Asamblesë së Shtetit. Për Mamdanin, takimi ishte edhe testi i parë i aftësisë së tij për të negociuar me një president që kontrollon burime federale jetike për qytetin. Megjithëse Trump kishte kërcënuar më herët se do t’i hiqte fondet Nju Jorkut, ai së fundmi është treguar më i butë, duke thënë se “do të donte që kryebashkiaku i ri të bënte mirë”.
Megjithatë, tensionet në prapaskenë ishin të dukshme. Para takimit, zyrtarët e Imigracionit sugjeruan se do të rritnin operacionet në qytet, ndërsa disa republikanë të linjës së ashpër edhe vunë në dyshim nëse Mamdani ishte me të vërtetë nënshtetas amerikan, pavarësisht se është natyralizuar në vitin 2018.
Mamdani kaloi të enjten duke u përgatitur për takimin, duke biseduar me guvernatoren Kathy Hochul, senatorin Chuck Schumer, kreun e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve Hakeem Jeffries dhe aktivistin Al Sharpton, si dhe me biznesmenin Robert Wolf.
I pyetur nëse kishte frikë nga një trajtim armiqësor si ai që mori presidenti ukrainas Zelensky në një takim të mëparshëm me Trump, Mamdani u përgjigj se ishte i gatshëm të “mbronte çdo ditë interesat e qytetarëve të Nju Jorkut”.
Kryebashkiaku i zgjedhur e ka ndërtuar platformën e tij mbi uljen e kostos së jetesës, duke premtuar autobusë publikë falas, dyqane ushqimore të administruara nga qyteti, ngrirje qirash për më shumë se 1 milion banesa të stabilizuara dhe programin e parë të kujdesit universal për fëmijët.
Shtëpia e Bardhë nga ana e saj e paraqiti takimin si shembull të gatishmërisë së Trump për të bashkëpunuar përtej ndasive politike.
Por në fushatën zgjedhore, Trump kishte zgjedhur të mos mbështeste kandidatin e partisë së tij, Curtis Sliwa, duke favorizuar në vend të tij ish-guvernatorin Andrew Cuomo. Gjatë bisedimeve për buxhetin, administrata Trump pezulloi gjithashtu fonde për projekte madhore infrastrukturore në Nju Jork, përfshirë tunelin Gateway dhe linjën e dytë të metrosë në Manhattan.
Trump gjithmonë e ka pasur mbështetjen e ulët në Nju Jork, vetëm 27% sipas exit-polleve të CNN, por rreth 10% e votuesve që e mbështetën atë në vitin 2024 votuan edhe për Mamdanin, duke treguar se mes tyre ka një pikë të përbashkët: Mesazhi ekonomik populist, pavarësisht dallimeve të mëdha ideologjike.
starnews.al
