
Nga Mark Rupa
Këtë javë, Profesori Hubert Hasenauer, ish-Rektor i Universitetit BOKU të Vjenës, mbështetës dhe shtylla kryesore e programit të bashkëpunimit “Strategjia UBT–BOKU 2030”, u nderua nga Qeveria e Shqipërisë me “Yllin e Mirënjohjes Publike” për kontributin e tij në forcimin e bashkëpunimit akademik mes Austrisë dhe Shqipërisë.
Me profesor Hasenauer më lidh një bashkëpunim disavjeçar në menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve dhe, prej një viti, një bashkëpunim i ngushtë përmes projektit “UBT–BOKU 2030”, që po modernizon Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT) nën drejtimin e Rektorit Prof. Fatbardh Sallaku dhe përkushtimin e stafit akademik të UBT dhe BOKU.
Në vetëm një vit, projekti ka sjellë rezultate shumë të mira. Nën koordinimin e Komisionit të Kurrikulave, drejtuar nga Prof. Ardian Maçi (UBT) dhe Prof. Hans-Peter Kaul (BOKU), me përfshirjen aktive të dekanateve dhe stafit akademik, janë hartuar nëntë programe të reja Bachelor, është avancuar procesi i akreditimit evropian për Mjekësinë Veterinare, dhe po ecën me ritme të mira reformimi i programeve Master. Në të njëjtën kohë, po përparon reforma dhe në fushën administrative dhe atë të kërkimit shkencor.
Kjo frymë e re është reflektuar edhe në rritjen e interesit të studentëve dhe prindërve, me mbi 35% më shumë regjistrime në Fakultetin e Bujqësisë, 25% në Fakultetin e Shkencave Pyjore, si edhe rritje në të gjitha programet e tjera të studimit. Njëkohësisht, është zgjeruar bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë, donatorët, ambasadat e vendeve te BE ne Shqiperi dhe komunitetin shkencor, duke e vendosur UBT-në në një fazë të re bashkëpunimi dhe zhvillimi. Urime Profesor Hasenauer dhe të gjithë bashkëpunëtorëve për këtë arritje të përbashkët.
Start News
