U nda papritur nga jeta, i jepet lamtumira e fundit gazetarit Artur Zheji

Ditën e sotme në orën 10:00, kanë nisur homazhet në nder të gazetarit dhe publicistit të njohur, Artur Zheji, në ambientet e Universitetit të Arteve.
Artur Zheji, u nda nga jeta më 23 gusht në moshën 64-vjeçare në Sarandë, ku ndodhej për pushime me familjen.
Me një karrierë të gjatë në media, Zheji ka shërbyer si drejtues në Radio Televizionin Shqiptar, Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe media të tjera, duke u bërë një nga zërat më të rëndësishëm të debatit publik në vend.
Përveç rolit si gazetar dhe drejtues emisioni, ai ishte edhe editorialist dhe komentues politik, duke lënë gjurmë të thella në mendimin mediatik shqiptar.
Në një deklaratë për mediat ne homazhet e mbajtura ndaj tij, kreu i PD-së Sali Berisha, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të gazetarit.
Berisha vlerësoi figurën e Zhejit, si një personalitet të spikatur në fushën e gazetarisë dhe analizës politike.
Gjithashtu, ai shprehet se ndan dhimbjen me familjen dhe të afërmit e Zhejit në këtë moment të vështirë, duke i uruar që shpirti i tij të gjejë paqen e merituar.
“Erdha të shpreh ngushëllimet më të ndjera dhe nderimin tim të thellë për Artur Zhejin, një personalitet i mirënjohur i gazetarisë me një eksperiencë të gjatë, i analizës, publicistikës, botimeve.
Artur Zheji ishte një zë në vete në analizat e tij, në të cilat edhe po të mos ishe dakord me pikëpamjen, mënyrën civile të servirjes dhe të shtruar të mbrojtjes që ai bënte, do ta respektoje patjetër.
Me këtë rast shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së tij të nderuar, miqve, shokëve dhe lutem së bashku me ta që shpirti i tij, shpirti i Artur Zhejit të gjejë paqen e merituar”, tha Berisha.
Regjisori Kiço Londo, ndau një mesazh të ndjerë, duke kujtuar figurën e mikut të tij: “Vijmë nga i njëjti ajër, nga e njëjta krahinë, nga një gjak e nga i njëjti kurs në këtë shkollë të mrekullueshme. Sot është një ditë zie e thellë. Është një ditë ku të gjithë duhet të qajmë për dritën që humbëm, për mendimin e thellë që nuk do ta kemi më, për Arturin që jo vetëm trashëgonte një gjen gjeniu, por mbante edhe një damar të fortë gjeniu brenda vetes. Dritë e madhe që humbëm, por shpresa është që dita që Arturi po lë pas të na ndihmojë të bëhemi më të mirë”.