Aktualitet dhe Lajme

Fitore në fije peri/ PD merr mandatin e dytë në Kukës falë diasporës

Share

Me një diferencë prej 64 votash, mandati i dytë i Partisë Demokratike në qarkun e Kukësit i kaloi Isuf Çelës.

Vota e diasporës ishte përcaktuese dhe vendimtare për mandatin e dytë të demokratëve në Kukës mes Shkëlqim Shehut, i cili para se të numërohej vota e diasporës ishte në avantazh me 430 vota kundrejt Isuf Çelës, ndërsa kandidatja e tretë, Edlira Peka, nuk mund të përcaktohej më tej si garuese për shkak të numrit të kufizuar të votave.

Gara e ngushtë mes dy kandidatëve ishte deri në fund, gjithsesi tashmë mandatet paraprake pas përfundimit të procesit të votimit për qarkun e Kukësit kanë pozicionuar Flamur Hoxhën dhe Isuf Çelën për Partinë Demokratike, ndërsa Eduard Shalsin për Partinë Socialiste.

Në qarkun e Kukësit, tri subjekte politike patën garën më të ndjeshme, kjo edhe për elektoratin që përfaqësonin, përkatësisht Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Partia Socialdemokrate. Subjektet e tjera, pjesë e garës, ishin pothuajse në hije.

E rëndësishme dhe që vlejti për t’u theksuar ishte mënyra e përmbylljes së këtij procesi, duke mos u regjistruar asnjë incident i cili mund të cenonte procesin. Edhe fushata elektorale përgjatë periudhës njëmujore pati një rrjedhë tejet normale, në të cilën kandidatët për deputetë dhe subjektet respektive komunikuan me elektoratin në çdo fshat, lagje e qytet në Kukës, Has e Tropojë, duke shpalosur programet e tyre.

Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, nuk ka ndryshim për sa i përket mandateve në favor të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, por ka ndryshim në pjesëmarrjen e votuesve.

Në këto zgjedhje, në shkallë Qarku, Partia Demokratike mori rreth 5 mijë vota më pak se në zgjedhjet e vitit 2021, ndërsa Partia Socialiste rreth 3 mijë vota më pak se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.




Huazuar nga albeu.com

Back to top button