Fitorja e thellë e PS, Iris Luarasi: As unë nuk e prisja, por kemi opozitë të shkalafitur

Iris Luarasi, e zgjedhur deputete e Partisë Socialiste, ishte e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN Tv, ku foli për rezultatin befasues që ka arritur kjo parti, e cila projektohet të marrë 83-84 mandate.
Luarasi tha se edhe ajo vetë nuk e ka pritur këtë rezultat, por shtoi se vjen si pasojë e mungesës së alternativës përballë PS, por edhe grindjeve të partive të vogla me njëra tjetrën, çka i pengoi ato të faktorizohen dhe të krijojnë një pol të ri.
“Unë personalisht nuk e prisja këtë rezultat. Kam qenë e sigurtë që do të merreshin, 74, 75, 76 mandate, por nuk mendoja se do të kalonte mbi 80 mandate. Nuk e mendoja me logjikën që pas 12 vitesh, një forcë politike duhet të paguajë një kosto dhe nëse nuk i ka marrë në 2013 mendoj se nuk mund të merren, por rezultati tregoi të kundërtën e asaj që mendoja unë. Mendoj se ka shumë arsye për këtë.
E mendoja PS-në fituese, sepse edhe me 76 mandate ishte fitore e rëndësishme. Arsyeja kryesore, ka një opozitë të shkalafitur, pa listë për 11 majin por për 12 majin. Normalisht duhet të kesh një ofertë shumë të mirë në treg që njerëzit të largohen nga partia në pushtet për të shkuar në një opsion tjetër, e kam parë këtë gjë që dje.
Isha besimplotë dhe shikoje trendin e njerëzve, përqindjet e votimit. Ajo që ndryshon në shumicën e vendeve demokratike, është kur sheh një numër të jashtëzakonshëm votuesish. Fakti që kishte 42% që kanë hedhur në kuti verdiktin, ishte e qartë që do të kishim të njëjtën forcë qeverisëse.
Edhe një element tjetër, edhe partitë e reja, për fat të keq, tani nuk po flas si përfaqësuese e PS, por si një njeri që po bën një analizë politike, nuk arritën të krijonin frymë dhe të krijonin një pol. Partitë e vogla dërrmuan njëra tjetrën. Nuk u mor PD apo PS me Lëvizjen Shqipëria Bëhet apo Partinë Mundësia, sa u morën me njëri tjetrin. Deklaratat e tyre, Adriatik Lapajt dhe zotit Shehaj, e masakruan njëri tjetrin dhe ishte një nga trendet e rrjeteve sociale. Nuk u motivua aq shumë Berisha dhe Rama për tu marrë me partitë e vogla, sepse dëmtuan njëra tjetrën”, tha Luarasi.
Lidhur me pretendimet se pati manipulime zgjedhore, Luarasi tha se kjo është zbehur me kalimin e viteve dhe me prezencën e SPAK, që ka krijuar frikë.
“Në ditët e sotme kjo mundësi vjen duke u zbehur. Të dyja forcat kanë patur probleme te gjetja e numëruesve. Ata e dinë se çafrë pësojnë, nëse manipulojnë, kanë frikë nga SPAK. Prej kësaj gjëje, nuk them se është minimizuar në ekstrem, por në çdo zgjedhje që vjen kjo bëhet më e vogël, sepse njerëzit nuk janë budallenj të bëjnë burg katër vjet për të bërë të tjerët deputetë.
E dyta, ke një proces që është totalisht i regjistruar. Ke mundësi ti rikthehesh procesit, edhe nëse ka dalë Irisi deputete me votë të vjedhur. Pra nga pikëpamja elektronike dhe strukturave të drejtësisë, është vetë procesi që e bën gjithnjë e më të vogël, momentin e shit-blerjes së votës. Pastaj elementi më i rëndësishëm është fryma që krijon për të ndërruar pushtetin. Nëse mendoni se me një listë me zonjën Vokshi, zotin Noka, zonjën Topalli, fiton… Me gjithë rspektin. Kur njerëzit që fituan primaret nuk ishin në listë”, shtoi Luarasi.