Rezoluta e PPE, Berisha: Regjimi i Ramës dhe klika e tij u denoncuan si armiq të egër të votës së lirë

Ditën e sotme, në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit, kryedemokrati Sali Berisha, ndodhet në Librazhd për të prezantuar kandidatët e Aleancën për Shqipërinë Madhështore.
Të dashur qytetarë dhe qytetare të Librazhdit, banorë të këtij rrethi, përshëndetjet më të përzemërta kudo që ndodheni sot në këtë shesh, në rrethin e Librazhdit, në Shqipëri dhe emigracion.
I dashur zoti Tomor Alizoti, udhëheqës politik i qarkut të Elbasanit, i dashur kryetar i PD për Librazhdin, vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj.
U sjell përshëndetjet më të përzemërta nga Kongresi i Partisë Popullore Europiane, partisë më të fuqishme që qeveris sot me 14 kryeministra, drejton Komisionin Europian, Parlamentin Europian, të cilët dje votuan me unanimitet një rezolutë në mbështetje të secilit prej jush, të votës tuaj, të fitores së PD dhe denoncuan Edi Ramën, klikën e tij si armiq të egër të votës së lirë të shqiptarëve.
Pra, ne shkojmë në datën 11 maj në zgjedhje të sigurt në një fitore të thellë, në një fitore me të cilën qytetarët e Librazhdit dhe mbarë Shqipërisë, votojnë për veten e tyre, për familjen e tyre, për të ardhmen e tyre, të ardhmen e Librazhdit dhe gjithë Shqipërisë.
Unë jam këtu për t’u zotuar para jush se me programin tonë ne do u kthejmë paratë qytetarëve shqiptarë dhe se çdo pensionist, në këtë rreth, në këtë qark, në Shqipëri, brenda 100 ditëve të para nuk do ketë kurrë një pension nën 200 euro.
Do vendosim minimumin jetik prej 200 eurosh, i cili përmirëson gjendjen e 560 mijë pensionistëve me pensione nën 170 euro.
Minimumi jetik do u jepet të gjithë shqiptarëve në ndihmë ekonomike, të gjithë të papunëve, të jjithë studentëve me brusë dhe prindërve me një fëmijë. 100 ditët e para ne nxjerrim shqiptarët nga varfëria e skajshme.
Dhe jo vetëm kaq, por çdo shqiptari me rrogë të ulët 500 euro, çdo pensionisti ne i japim kartën e konsumatorit me të cilën ai do blejë ushqimet dhe gjërat bazë 20 përqind më lirë se të tjerët, çka do të thotë se do marrë në vit 450 euro kompensim.
Në 100 ditët e para, çmimi i naftës do ulet me 40 përqind, nuk do shitet kurrë më shumë se minus/plus 10 përqind të çmimit në Maqedoni dhe Kosovë. Miq, pra ne japim një goditje përfundimtare mjerimit apo varfërisë ekstreme. Nuk do ketë shqiptar që të ketë nën 6.3 euro në ditë.
Me programin tonë, Aleanca për Shqipërinë Madhështore do t’i japë biznesit një frymëmarrje të re të fuqishme. Biznesi i vogël do paguajë energjinë me 6 lekë nga 18 që e paguan sot. Do të përgjysmohet tarifat e ujit.
Do pjesëtohet me 5, tarifa e hapësirës publike. Do rriten tavanet në 180 mijë euro për TVSH-në dhe tatim fitimin për bizneset e vogla. Për bizneset e tjera vendoset taksa e sheshtë 10 përqind nga 23 përqind.
TVSH-ja ulet në 15 përqind nga 20 përqind. Shqipëria do jetë vendi me klimën më të mirë të biznesit. Edhe ato energjinë do e paguajnë 6 lekë nga 18 që paguajnë sot.
Të dashur miq, regjimi i Edi Ramës është bërë i famshëm në botë për lidhjet e tij me krimin, për drogën.
Unë u bëj një pyetje fermerëve të Librazhdit, sa herë e keni dëgjuar kryeministrin të flasë për ju? Për pemëtoret tuaja? Për prodhimet tuaja? Dhe sa herë ka folur ai për drogën dhe kanabisin.
Fermerë të Librazhdit, iu garantoj se vitin e parë të qeverisjes do të pesëfishohen investimet, fondet, subvencionet për ju. Ju do të keni të njëjtat subvencione me fermerët e Maqedonisë, Kosovës dhe vendeve përreth.
Sot qeveria nga 8 miliardë euro, ka lënë për ju 32 milionë euro, paçka se jepni 20 përqind të prodhimit dhe punësoni rreth 500 mijë shqiptarë. Kjo shumë do jetë 220 milionë euro. TVSH do jetë simetrike, njësoj si në shitje dhe në blerje. 70 milionë euro do investohen në vit për ujitje, kullime dhe mbrojtjen e tokës.
Qeveria do të krijojë një fond të veçantë për mbrojtjen e prodhimeve tuaja, dëmtimet nga moti dhe fatkeqësitë natyrore. Kredi të buta për të gjithë fermerët që duan të zhvillojnë fermat e tyre. Hiqet çdo kriter për subvencionimet, jo kokë bagëti apo sipërfaqe toke, edhe një lopë e vetme do subvencionohet.
Të dashur miq, thirrjet nga mbarë Europa dhe bota këto tre muaj kanë ardhur në Shqipëri që shqiptarët të ndahen nga krimi. Që shqiptarët të votojnë si qytetarë të lirë. Shtroni pak pyetjen: çfarë përfituat ju 12 vite? Pensioniste dhe pensionistë, pas 12 vitesh, Edi Rama, buxhetin e fundit la 16 milionë euro për ju.
Pensioniste dhe pensionistë, mos harroni se me pensionin që merrnit në vitin 2013, blinit 250 përqind më shumë se sa blini sot në dyqane. Për të blerë ato që bliheshin në vitin 2013, sot ju duhet të paguheshit me 390 mijë lekë. Por qeveria u injoroi ju, u shumëzoi me zero. Prandaj vota me 11 maj është votë për dinjitetin tuaj.
U garantoj se ju do merrni falas ato ilaçe që merr falas pensionisti italian në Itali. Se lista e rimbursimit do të jetë identike.
Për të rinjtë, i siguroj se shkollimi i tyre, modernizimi i arsimit, dixhitalizimi i plotë, heqja e mesatares për universitetet, punësimi i tyre pas mbarimit të shkollës, pagesa e sigurimeve shoqërore nga qeveria për një vit, grantet dhe kreditë e buta për bizneset e tyre, një çati për çdo çift me 30 mijë euro grant për të paguar interesat e kredisë do jetë zotimi ynë për të rinjtë shqiptarë.