Lajme nga Dibra

Pas dy dekadash shërbim falas për diagnostikimin e kancerit të gjirit në Dibër, mbyllet klinika “Florina Rusi Marku”

Share

Foto ilustruese nga interneti.

Pas dy dekadash shërbim mjekësor falas për gratë dibrane dhe komunat përreth, klinika “Florina Rusi Marku” mbylli dyert. E themeluar në vitin 2003 në qytetin e Dibrës, Maqedonia e Veriut, me mbështetjen e familjes Rusi, kjo klinikë ishte një qendër e rëndësishme për shëndetin e grave, duke ofruar shërbime diagnostikuese falas për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Në këtë institucion, çdo vit kryheshin rreth 600 kontrolle falas për paciente nga Dibra, Kosova, Shqipëria dhe më gjerë.

Klinika “Florina Rusi Marku” u mbyll pas dy dekadash aktivitet për shkak të ndërprerjes së financimit nga familja Rusi, e cila jeton në Shtetet e Bashkuara prej dekadash. Pavarësisht përkushtimit të tyre të vazhdueshëm për të ndihmuar komunitetin e Dibrës, familja nuk ishte më në gjendje të mbështeste financiarisht funksionimin e klinikës, e cila ishte plotësisht e varur nga donacionet e tyre.

Sipas të dhënave të fundit nga administrata e klinikës, gjatë vitit të fundit të funksionimit janë kryer 575 kontrolle, ku janë identifikuar 148 raste me tumore dhe 14 raste me kancer në gji. Që nga hapja, e klinikës janë realizuar mbi 15,000 kontrolle dhe me rëndësi në diagnostikimin e hershëm të sëmundjes.

“Mungesa e kësaj klinike është një humbje për komunitetin tonë. Është jetike të rikthejmë shërbime të tilla në Dibër, jo vetëm për gratë dibrane, por edhe për ato nga komunat kufitare, të cilat përfitonin nga kjo klinikë pa pasur nevojë të udhëtojnë larg,” deklaroi kryetari i Komunës së Dibrës, Hekuran Duka.

Institucionet shëndetësore në Dibër, përfshirë spitalin, ofrojnë shërbime mamografie. Pajisjet e avancuara dhe ekspertët mjekësor që ishin pjesë e këtij institucioni garantonin cilësi të lartë shërbimesh dhe trajtimi – duke përfshirë edhe mbështetjen e pacientëve të diagnostikuar me kancer për trajtimin e tyre, shpesh pa asnjë kosto shtesë. Një pjesë e pajisjeve të këtij institucioni janë shpërndarë në klinika të tjera, ndërsa disa qëndrojnë ende në objektin e mbyllur në Dibër.

Kanceri i gjirit është një nga format më të përhapura të kancerit tek gratë, por zbulimi i hershëm luan një rol vendimtar në trajtimin dhe mbijetesën. Ky lloj kanceri zakonisht zhvillohet në indet e gjirit dhe mund të prekë gratë e çdo moshe, megjithëse rreziku rritet me kalimin e viteve. Simptomat përfshijnë nyje ose masa në gjoks, ndryshime në formën ose madhësinë e gjirit dhe sekrecione të pazakonta. Kontrolli i rregullt mjekësor dhe mamografitë janë çelësi për zbulimin në fazat e hershme, kur trajtimi është më efektiv.




Huazuar nga BulqizaIme

Back to top button