fbpx
Lajme nga Dibra

“Gjonaj Group” fituese e ankandit për ndërtimin e parkut fotovoltaik në Gjoricë

Share

Foto ilustruese nga Gjorica

Kompanitë “Solar Park Gjorica”,” “Info-Telecom” shpk dhe kompania turke “Adam Global Energy” janë përzgjedhur si fitues në ankandin hibrid për ndërtimin e parkut fotovoltaik në Gjoricë të Bulqizës. Projekti do të ketë një kapacitet të instaluar prej 35.6 MW, dhe energjia e prodhuar do t’i shitet shtetit me një çmim prej 39.7 euro për MW/orë.

Gjatë ankandit, qeveria garantoi blerjen e energjisë për 15 vite, ndërsa sigurimi i tokës ishte detyrë e vetë kompanive. Kushti për pjesëmarrje në ankand ishte një kapacitet jo më të vogël se 10 MW dhe jo më të madh se 100 MW, me një çmim tavan prej 59.97 euro/MW. Në këtë ankand, tetë bashkime shoqërish u shpallën fituese për një kapacitet të instaluar prej 283.93 MW, me një çmim mesatar prej 51.3 euro për megavat-orë.

Në ceremoninë e ankandit ishin të pranishëm zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, ambasadorja e Zvicrës në Tiranë, Ruth Huber, dhe drejtori i BERZH-it. Zv/kryeministrja Balluku e cilësoi këtë ankand si një gur kilometrik në sektorin energjetik shqiptar. Sipas saj, ky ankand përfaqëson një hap të rëndësishëm në politikat e shtetit për transformimin e Shqipërisë në një vend eksportues neto të energjisë. Ajo vuri në dukje se vendi ynë është vlerësuar nga partnerët ndërkombëtarë si një histori suksesi në zhvillimin e ankandeve të hapura për burimet e rinovueshme të energjisë.

Solar Park Gjorica” ndryshon pronësinë

Në shkurt të vitit 2024, Këshilli Bashkiak i Bulqizës, me votat e anëtarëve të Partisë Socialiste dhe disa partive të vogla, miratoi dhënien e afro 42 hektarëve tokë të fondit pyjor-kullosor në fshatin Gjoricë e Poshtme për kompaninë “Solar Park Gjorica.” Në dëgjesën publike të mbajtur më 20 shkurt, banorët e zonës nuk kundërshtuan, duke vlerësuar faktin se investimi do të kryhej nga një banor lokal që do të merrte parasysh nevojat dhe shqetësimet e tyre.

“Solar Park Gjorica” u themelua më 13 nëntor 2023 me pronësinë e plotë të z. Sokol Tasha dhe kishte si objekt veprimtarie prodhimin dhe tregtimin e energjisë elektrike nga burime fotovoltaike. Megjithatë, vetëm disa javë pas marrjes së dakordësisë së banorëve dhe dhënies së tokës nga Këshilli Bashkiak, kompania u shit. Më 8 prill 2024, pronësia për 97% të aksioneve u transferua nga z. Sokol Tasha te “Gjonaj Group Holdings” për një vlerë prej 1000 euro. “Gjonaj Group” është një bashkësi kompanish, që përfshijnë Info-Telecom, Enertrade, Promarketing, Digicom, Probroker etj.

Energjia solare po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet si një burim i pastër dhe i rinovueshëm, por ka edhe sfida që lidhen me të. Avantazhet kryesore përfshijnë reduktimin e emisioneve të karbonit, sigurimin e një burimi të pashtershëm energjie, uljen e kostove në afatgjatë dhe rritjen e pavarësisë energjetike. Megjithatë, ka edhe disavantazhe, si kostoja fillestare e lartë, varësia nga kushtet klimatike, kërkesa për hapësira të mëdha dhe ndikimi potencial në ekosistemet lokale.




Huazuar nga BulqizaIme

Back to top button