fbpx
Aktualitet dhe Lajme

2 javë nga raportimi për “tentim-atentatin” ndaj Kurtit: Kryeministri i Maqedonisë e demanton keq VV-në

Share

Për Lëvizjen Vetëvendosje, tema e shumëpërfolur e kohëve të fundit mbi raportimin e mediumit publik për përgatitje të një atentati të mundshëm ndaj kryeministri Albin Kurti gjatë qëndrimit të këtij të fundit në Shkup, është e konsumuar. Por jo edhe për opinionin publik. Vazhdon të tërheq vëmendjen, vazhdon të diskutohet, derisa së fundi në detaje për këtë foli edhe kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi. Shkurt e shqip, ai demantoi shkrimin e RTK-së, e madje, e quajti edhe “për të ardhur keq”.

Fiks dy javë më parë, temë dite, e më pas edhe jave, do të bëhej një raportim i Radiotelevizionit të Kosovës ku thuhej se pas kthimit të kryeministrit Kurti nga ShBA-ja, ku mori pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit, një vizitë e tij në Shkup është përcjellë me masa të rrepta sigurie.

Krejt kjo, sipas tyre, për shkak të një një lajmi për “tentim-atentat” ndaj tij që sot e kësaj dite, mbetet goxha i pashpjeguar si raportim.

Kurti dhe befasia e Konjufcës
Siç raportoi Nacionale para dy javësh, pak pas publikimit të këtij lajmi, Kurti kishte arritur në Kosovë. Me të dalë në publik, ai nga mediat ishte pyetur pikërisht për këtë çështje.

Kurti u përgjigj, por thuajse më shumë vëmendje, do të merrte një reagim i kryeparlamentarit Glauk Konjufca kur shefi i tij partiak u pyet për këtë çështje, i cili dukej tejet i befasuar, gati-gati, sikur të mos ishte në dijeni mbi ato që po raportoheshin në media.

“Por unë sa erdha nga Shkupi, nuk jam ndjerë i rrezikuar, veç se kam parë që kishte shumë forca policore që u kujdesen për këtë mbledhjen që e mbajtëm në Shkup me Partitë Socialdemokrate.” – kishte thënë ai.

Natyrisht, në Kosovë një lajm i tillë u përcoll me shumë tallje, sidomos duke marrë parasysh mënyrën e shkrimit të tekstit, që realisht, linte pak për të besuar.

Demantimi i kryeministrit të Maqedonisë
E demantoi edhe më parë, megjithatë, disa deklarata të dhëna mbrëmjen e së premtes prej kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, hedhin edhe më shumë dritë mbi atë se qysh ndodhi kjo në të vërtetë.

Ai e bëri të qartë, madje citoi informacione të tij të verifikuara, se nuk ka pasur diçka të tillë të planifikuar.

“Çështja ishte për të ardhur keq se përmes mediumit public shtetëror, jepet informacion për gjoja përgatitje, inskenim të një atentati të mundshëm. Sipas të dhënave që kam, që janë të verifikuara, jo vetëm si kryeministër, nuk ka të bëjë me realitetin. Çështja ka të bëjë me faktin që derisa ka qenë në rrjedhë Këshilli i Sigurimit në OKB, në rrjete sociale, që gati çdo ditë ndodhë, individë të caktuar kanë postime të asaj natyre, në forme të një “kanosje”.” – ka thënë Xhaferi në “Kallxo.com”.

VV-ja “mundohet t’i ikë” çështjes
VV-ja veç diskutimin e kësaj teme s’po e do më si duket. Kjo u vërejt më së miri nga fjalë të thëna prej deputetit të pushtetit, Salih Zyba pas një mbledhje të mbajtur këtë javë të Komisionit Mbikqyrës të AKI-së, ku raportoi edhe drejtori i AKI-së, dhe e cila në fakt, ishte thirrur pikërisht për këtë çështje.

Ai ishte pyetur nga gazetarët nëse e ka pyetur drejtorin e AKI-së, Petrit Ajeti për këtë raportim.

“Qëllimi i takimit ishte kjo, por ishte e mbyllur dhe konsideroj se nuk kam diçka të veçantë…Tashmë është e kalume kjo temë, është konsumu edhe prej debatit, nuk jam unë adresa.” – kishte thënë Zyba.

“Ky interesim është pak, mos me thënë me vonesë, por nuk është aktual.” – kishte deklaruar ai tutje. /nacionale/




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button