Aktualitet dhe Lajme

ZGJEDHJET/ Presidenti Begaj, mesazh shqiptarëve: Vota është zëri juaj, përdoreni me dinjitet më 11 maj

Share

Në prag të zgjedhjeve të 11 majit, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përcolli një mesazh të posaçëm për qytetarët shqiptarë, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes dhe të përgjegjësisë qytetare.

“11 Maji është një ditë e veçantë për secilin prej jush. Në këtë ditë ju keni mundësinë dhe të drejtën për të vendosur mbi të ardhmen tuaj, të familjes dhe të Shqipërisë sonë të përbashkët,” – theksoi Presidenti.

Ai i ftoi qytetarët të ushtrojnë të drejtën e votës me qetësi, përgjegjësi dhe dinjitet, duke e konsideruar procesin zgjedhor jo thjesht si një ditë votimi, por si një angazhim të përditshëm demokratik. “Vetëm përmes një procesi zgjedhor të ndershëm dhe të besueshëm ndërtohet besimi i qytetarëve tek shteti, tek institucioni i votës dhe tek e ardhmja demokratike e vendit,” – shtoi ai.

Në mesazhin e tij, Presidenti Begaj theksoi se zgjedhjet e 11 majit janë një test i rëndësishëm pjekurie politike si për qytetarët ashtu edhe për klasën politike.

“Populli shqiptar meriton më të mirën. Meritoni një proces zgjedhor që përfaqëson vullnetin tuaj të lirë, që respekton ligjin dhe që i shërben vetëm interesit publik,” – deklaroi Kreu i Shtetit.

Në fund, Presidenti i bëri thirrje qytetarëve që ta kthejnë 11 Majin në një ditë feste dhe angazhimi qytetar në emër të demokracisë dhe të shpresës për të ardhmen. “Vota është zëri juaj. Përdoreni me dinjitet, sepse përmes saj ju merrni në dorë fatin tuaj dhe të brezave që do të vijnë,” – përfundoi Presidenti Begaj.

Këtë mesazh, Presidenti Begaj e përcolli pas takimit që zhvilloi me delegacionin e Parlamentit Evropian, i cili ndodhet në Shqipëri për të monitoruar zgjedhjet e 11 majit.




Huazuar nga albeu.com

Back to top button