fbpx
Aktualitet dhe Lajme

“Zbërthehen” vendimet e dyshimta të Belinda Ballukut! Dritëhijet e koncensionit të “Rrugës së Arbrit” dhe konflikti i interesit i lejuar nga Ministria e Infrastrukturës

Share

“Kontratës së Rrugës Arbrit, nuk i është shtuar asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit, vazhdojmë, sot dhe  kësaj dite dhe operojmë me të njëjtën sasi parash siç është nënshkruar kontrata”, kjo është deklarata e zv. kryeministres, Belinda Balluku në 22 Gusht 2022.

Zv.kryeministrja Balluku premtoi se nuk do të rriten shpenzimet për buxhetin e shtetit për Rrugën e Arbrit edhe pse tuneli do jetë më i gjatë dhe se do ketë zgjatim rrugësh. Por pas këtij premtimi, çdo ekspert i ekonomisë ishte përballë një pyetje: Si është e mundur që nuk do të paguajmë kosto shtesë për rrugën, kur kompanisë private do t’i zgjaten afatet dhe kur gjatësia e tunelit nuk do të jetë e njëjta me projektin e miratuar??!

Sipas inxhinierit Spartak Tarka: “Sa më shumë të shtyhet projekti i përfundimit të një rrugë, aq më shumë, aq më e vështirë bëhet edhe përfundimi saj, pasi dalin probleme  nga më të ndryshmet, të karakterit gjeologjik, shto këtu edhe kushtet natyrore që i nënshtrohet gjurma e rrugës.”

Ku evidentohen shkeljet e Belinda Ballukut?

Emisioni “Vetting” sjell disa të vërteta të fshehura nga numri dy i qeverisë, njëherësh ministrja e linjës, të cilat lidhen me aferat me Rrugën e Arbrit, t që kanë sjellë kosto shtesë edhe për kohëzgjatjen e punimeve edhe për buxhetin e shtetit- shtesa dhe buxhete të miratuara nga vetë zv.kryeministrja Balluku. Një projekt i pambarueshëm që i përket edhe zonës së patronazhit të vet politik dhe elektoral.

Në qendër të këtij zbulimi nga “Vetting”  është gropa financiare e shkaktuar prej këtij projekti, por gjenden edhe kompani, të cilat në konflikt të mundshëm interesi, kanë përfituar tendera nga Ministria e Infrastrukturës, për supervizimin e koncesionit të Rrugës së Arbrit.

Rruga ngjitëse e karrierës së Ballukut deri te numri 2 i qeverisë dhe hijet financiare rreth saj

Në vitin 2004, Belinda Balluku do t’i bashkohej stafit të Bashkisë së Tiranës, me Edi Ramën si kryebashkiak, në rolin e këshilltares për Marrëdhëniet me Publikun. Me ardhjen e kryeministrit Edi Rama në pushtet, nga shtatori 2013 deri në dhjetor 2018, Belinda Balluku do të mbante postin e Drejtores së Përgjithshme të ALBCONTROL-it.

Në 17 janar 2019, pushteti politik i Ballukut do të rritej në mënyrë eksponenciale, duke u emëruar Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe në Prill 2021, ajo do të fitonte mandatin si deputete e Partisë Socialiste.

Pushteti i ministres do të kulmonte në fillim të gushtit 2022, kur kryeministri Edi Rama do ta propozonte si zv. kryeministre, duke marrë nën zotërim edhe Ministrinë e Rindërtimit që drejtohej nga parardhësi i saj, tashmë në kërkim, Arben Ahmetaj.

Gjatë kohës që ka qenë në Ministrinë e Infrastrukturës, Balluku do të firmoste disa nga koncesionet dhe projektet më të rëndësishme të qeverisë. Ajo do të monitoronte dhe do të kryente pagesat për kontratat e inceneratorëve, të cilat vazhdojnë të rezultojnë një nga aferat më të mëdha me abuzimin e fondeve publike.

Por disa prej projekteve të miratuara nga ministrja Balluku kanë qenë në qendër të akuzave nga opozita shqiptare si afera korruptive, si rasti i Portit të Durrësit. Koncesionet e firmosura  nga vetë Balluku  kanë marrë vëmendje prej kostove të shtuara dhe zgjatjen ciklike të afateve për punimet e Rrugës së Arbrit.

Sakaq në qendër të hetimeve nga SPAK është edhe një nga bashkëpunëtorët e saj më të ngushtë, kreu i ARRSH-së Evis Berberi, i cili u arrestua nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion dhe pastrim parash.

Edhe pse janë shkelur afatet për rrugët, janë rritur kostot për shumicën e këtyre projekteve, numri dy i qeverisë, Belinda Balluku e cila de facto është vendimmarrëse, ka qenë jashtë vëmendjes së denoncimit publik. Për arsye të pashpjeguara opozita e copëzuar politike e vendit ka qenë e përçarë edhe në qëndrimet ndaj dëmeve në buxhetin e shtetit nga ministria që drejton zonja Balluku.

Konkretisht si Rithemelimi, por edhe Partia e Lirisë, nuk kanë ngritur zërin për kostot e pafundme të rrugëve, nuk kanë kërkuar qoftë edhe një interpelancë me këtë ministre. Ndërkohë që bëmat financiare për rrugët e pambaruara shënojnë shifra rekord në historinë e buxhetimit publik për gjithë dekadat e pas viteve 1990.

E vetmja pasqyrë që nxjerr fytyrën abuzuese, është Kontrolli i Lartë i Shtetit. Raportet e KLSH-së, të lëna jashtë vëmendjes së institucioneve apo edhe mediave, zbulojnë arsyet e kësaj heshtjeje. Aty zbulohet se zv.kryeministrja Balluku ka toleruar zbatimin e koncesionit/PPP të hekurudhës  për linjat Fier – Ballsh dhe Fier – Vlorë.

Kontrata koncesionare “Për dhënien me konçesion të rehabilitimit, operimit dhe transferimit të rrjetit të transportit hekurudhor në linjat Fier – Ballsh dhe Fier – Vlorë” është fituar nga bashkimi i kompanive “ALB-STAR” sh.p.k & “MATRIX KONSTRUKSION” në shtator 2015, të cilat për zbatimin e këtij projekti do të bashkëthemelonin koncesionarin “ALBRAIL”.

Në shkurt 2016, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës do të lidhte kontratën me kompaninë “ALBRAIL”. Por lidhja e kësaj kontrate ka një prapaskenë, pasi njëri nga aksionerët e kësaj kompanie, A. L, rezulton i biri i ish deputetes dhe zv.kryetares  së Kuvendit të Shqipërisë në momentin e lidhjes së kontratës.

Ky rast ngre dyshime të forta për konflikt interesi dhe kontrata është firmosur nga ish ministri Edmond Haxhinasto, bashkëthemelues i ish Lëvizjes Socialiste për Integrim, sot Partia e Lirisë, ku është zv.kryetar i saj.

KLSH argumenton se Ministria e Infrastrukturës, në kohën që drejtohet nga Balluku, nuk ka dërguar në Ministrinë e Financave pasqyrat financiare vjetore të vitit paraardhës për aktivitetin e koncesionarit. Gjithashtu audituesit konfirmojnë se nuk ka patur raportime për ecurinë e zbatimit të kësaj kontrate, duke qenë në kundërshtim me përcaktimet në Udhëzimin e Ministrit të Financave dhe Ekonomisë nr.35, datë 12.12.2019.

Historia e koncesionit

Përtej dritëhijeve për realizimin e punimeve, vetë ideja për projektimin dhe nisjen e garës për projektin e “Dhënie me Koncesion/PPP i ” Përmirësimit, Ndërtimit, Operimit dhe Mirëmbajtjes së Rrugës së Arbrit” ka prapaskena të tjera.

Ndërtimi i aksit me gjatësi 54 kilometra që lidh Tiranën me Dibrën nëpërmjet kontratës koncesionare me kompaninë ‘Gjoka Konstruksion’, filloi në vitin 2018. Ky projekt parashikon ndërtimin e një rruge me dy korsi, e cila kalon në një rrugë me gjashtë tunele dhe dy ura të larta.

Më 12 Prill 2017, Qeveria Shqiptare do të miratonte një bonus prej 10 pikësh për kompaninë “Gjoka Konstruksion” për propozimin e pakërkuar për Rrugën e Arbrit.

Më 31 tetor 2017, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, nën drejtimin e Damian Gjiknurit, do të shpallte fitues “Gjoka Konstruksion” me ofertë 40 miliardë lekë me TVSH ose 400 milionë euro, e cila krijoi kompaninë “Gjoka 87” për koncesionarin.

Por çfarë e lidh Ballukun me këtë projekt?

Konfliktet e mundshme të interesit

Paralelisht me lidhjen e kontratës koncesionare për Rrugën e Arbrit, në nëntor 2018, do të shpallej edhe fituesi nga Ministria e Infrastrukturës për shërbimet inxhinierike të pavarura për zbatimin e kësaj kontrate.

Ky tender u fitua nga bashkimi i kompanive “GR ALBANIA” dhe “GAUFF GmbH & Co Engineering” me ofertë 535 milionë lekë me TVSH ose 5.4 milionë euro.

Nga të dhënat zyrtare rezulton se në vitin 2022 është bërë shtesë për këtë kontratë. Por vazhdimi i kontratës me “GR ALBANIA” ngre pikëpyetje për konflikte interesi nga kjo kompani. Në 20 shtator 2017, bashkimi i kompanive “Alb- Star”, “AGNA SHA” dhe “GR ALBANIA” do të themelonin kompaninë “GRABOVA HYDROPOWER”, pasi sapo kishin fituar kontratën koncesionare për ndërtimin, operimin dhe transferimin e Hidrocentralit Grabovë 1 nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Megjithatë në vitin 2021, ekuilibrat brenda kompanisë koncesionare “GRABOVA HYDROPOWER” do të ndryshonin.

Në 5 Prill 2021, “Gjoka Konstruksion” do të blinte 34% të aksioneve nga kompania “Alb-Star” për kontratën e hidrocentralit me afat përdorimi 35 vite.

Pra, zyrtarisht prej prillit 2021, kompania “GR ALBANIA”, e cila supervizon punimet e kompanisë “Gjoka Konstruksion” për Rrugën e Arbrit është në ortakëri me këtë të fundit. Madje merr një shtesë prej 558 milionë lekësh (të vjetra) nga Ministria e Infrastrukturës për të mbikëqyrur punimet e kompanisë, me të cilën po ndërton një hidrocentral.

Sipas ekspertit të ekonomisë, Eduart Gjokutaj, institucionet duhet të jenë më të vëmendshme ndaj këtyre rasteve.

“Realisht është një problem i atyre që organizojnë gjithë këtë garë, tendera me para publike që jepen ndërmarrjeve. Natyrshëm që është edhe një dobësi institucionale në raste mos verifikimit fillestar apo paraprak dhe nga ana tjetër edhe investigimit kur nuk ka përputhshmëri të fondeve me investimin”, deklaron Gjokutaj për “Vetting”.

Dyshimet për shkeljen e procedurave me tenderët bien mbi Ministrinë e Infrastrukturës sepse sa herë që transferohen aksionet e një kontrate koncesionare, kompanitë kanë si detyrim të njoftojnë Ministrinë për ndryshimet e ndodhura.

Por ky tender nuk është i vetmi që ngre pikëpyetje për konfliktet e interesit./bw/




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button