Vodhi banesën në Korçë, autori thyen xhamin e derës dhe tenton të largohet nga tualeti gjatë arrestimit
Një 37-vjeçar është arrestuar në Korçë, pasi kishte vjedhur një televizor, një shumë parash dhe sende të tjera, në banesën e një personi që ndodhej në Greqi. Por pas denoncimit, policia ka identifikuar autorit, që rezulton se kishte vjedhur dhe disa banesa të tjera.
Gjithashtu në momentin që policia ka shkuar për ta arrestuar 37-vjeçari ai ka përplasur derën duke thyer xhamin dhe ka tentuar të largohej, por nuk ka mundur të ikë. 37-vjeçari është shoqëruar në spital dhe mori ndihmë mjekësore pasi u dëmtua në dorë nga xhamat e derës.
Njëkohësisht edhe një nga punonjësit e policisë mori mjekim pasi u dëmtuar nga xhamat gjatë prangosjes së autorit të vjedhjes. Pas mjekimit, 37-vjeçari është shoqëruar në ambientet e Policisë për veprime të mëtejshme procedurale të cilat po kryhen nën drejtimin e Prokurorisë dhe të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 13:00, në Komisariatin e Policisë Korçë, është paraqitur dhe ka bërë kallëzim shtetasi O.C, banues në lagjen nr 3, Korçë, i cili ka deklaruar se mesditën e sotme kur është kthyer nga Greqia ka konstatuar se i kishin vjedhur në banesë televizorin, një shumë parash dhe sende të tjera.
Pas kallëzimit të marrë nga shtetasi O.C, grupi hetimor ka shkuar në vendngjarje. Nga veprimet e shpejta hetimore të kryera në vendngjarje dhe informacionet e marra në rrugë operative nga Specialistët për Hetimin e Krimit, rezultoi se autori i dyshuar i vjedhjes ishte shtetasi E.B, 37 vjeç, banues në lagjen nr 3, Korçë, person i dënuar më parë për një seri vjedhjesh të ndodhura në Korçë gjatë vitit 2021.
Bazuar mbi këto dyshime, shërbimet e Policisë kanë shkuar në banesën e shtetasit E.B, për ta shoqëruar në Komisariat, si person i dyshuar për vjedhjen e ndodhur. Në momentin që shërbimet e Policisë kanë shkuar te banesa dhe i kanë komunikuar shtetasit E.B, që do shoqërohej në Komisariat për tu marrë në pyetje, ky shtetas ka përplasur derën duke thyer xhamin e derës dhe ka tentuar të largohej nga dera tualetit, por nuk ka mundur të largohej pasi është prangosur nga shërbimet e Policisë.
Shtetasi E.B, është shoqëruar në spital dhe mori ndihmë mjekësore pasi u dëmtua në dorë nga xhamat e derës. Njëkohësisht edhe një nga punonjësit e policisë mori mjekim pasi u dëmtuar nga xhamat gjatë prangosjes së shtetasit E.B. Shtetasi E.B, pas mjekimit është shoqëruar në ambientet e Policisë për veprime të mëtejshme procedurale të cilat po kryhen nën drejtimin e Prokurorisë dhe të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.