“Vllatorja” e “Moskato”, dy tokat me vlerë 1 mln euro që çuan në burg Jorgo Goron
Dy sipërfaqe toke të quajtura “Vllatorja” dhe “Moskato”, të cilat ndodhen në zonën e Himarës, rezultojnë me një vlerë financiare prej 1 milion euro.
Përfitimi i këtyre dy pasurive në mënyrë të paligjshme, është arritur të zbulohet nga një kallëzim i bërë në vitin 2022, nga mësuesi i shkollës 9-vjeçare në Himarë, Irakli Likoka.
Rasti është hetuar fillimisht në Vlorë dhe më pas çështja ka kaluar në SPAK, duke çuar ditën e djeshme në një arrestim të dytë të ish-kryetarit të bashkisë Himarë, Jorgo Goro.
Ndërkohë teksa hetimet për këtë rast vijojnë, situata penale duket se po tronditet dhe për Arqile Bollanon, kryetarin aktual të Bashkisë Himarë, dhe një nënpunës tjetër i quajtur Oleg Goro, i cili së bashku me Bollanon, ka qenë pjesë e grupit të punës që ka përpiluar listën e personave që përfitonin tokën në formën e përdoruesit faktik.
Bollano dhe Oleg Goro, ka përpiluar dokumente të rreme, të cilat më pas janë firmosur nga kryetari i bashkisë Himarë, Jorgo Goro, duke bërë pronar në mënyrë të padrejtë zyrtarin e bashkisë, Arqile Bollanon dhe disa persona të tjerë.
Por veç dhënies së pronësisë së Bollanos, ky i fundit përmes një plani privat të rilevimit të pasurisë, ka bërë një mbivendosje harte për gastrën “Vllatorja”. Kjo masë mbivendosje përllogaritet në 3742 metra katror, duke shtrirë kufijtë dhe mbi pasurinë e mësuesit Irakli Likoka.
Për shkak se Bollano cenoi dhe pasurinë private të Irakli Likokës, ky i fundit ju drejtuar në 7 dhjetor 2022 prokurorisë me një kallëzim penal.
Irakli Likoka, ka kërkuar ndjekje penale për shtetasin Arqilea Bollano, për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve” parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal si dhe për punonjësit e Bashkisë Himarë dhe ASHK Vlorë për veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës”.
Likoka ka shpjeguar se ai ka trashëguar nga babai i tij, i ndjeri Niko Likoka një sipërfaqe kullotë me sipërfaqe 2.2 ha në qytetin e Himarës.
Për këtë pasuri, Gjykata Vlorë, në 11 korrik 2023, ka vendosur vërtetimin e fakti juridik të pronësisë.
Bazuar mbi këtë vendim si dhe dokumentet arkivore që disponon, kallëzuesi ka kërkuar kthimin e pronës nga Agjencia e Trajtimit të Pronave.
Kallëzuesi ka rënë në dijeni se në këtë sipërfaqe toke, është trajtuar me tokë në pronësi Arqile Bollano, i cili është pajisur me AMTP në pronësi nga Bashkia Himarë, në vitin 2016 dhe më pas ka kryer regjistrimin e pronës në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës Vlorë në vitin 2022.
Sipas Iraklit, AMTP në favor të shtetasit Arqile Bollano është dhënë në kundërshtim me ligjin për arsye se:
”…ajo është dhënë në pronën e tij për të cilën disponon dokumente pronësie dhe po kështu është në proces gjyqësor për kthimin fizik të saj. Kjo sipërfaqe toke është kullotë dhe nuk është tokë bujqësore si e tillë nuk mund të jepet me AMTP…”.
Lidhur me faktet e denoncuara nga Irakli Likoka, nga ana e prokurorisë është kërkuar informacion pranë Bashkisë Himarë, e cila në datën 12 janar 2023, ka çuar informacion se mbi bazën e kërkesës dhe dokumentacionit të paraqitur nga Arqile Bollano, ai është trajtuar me vendimin nr.52, datë 4 Maj 2016 të Këshillit Bashkiak Himarë, si përdorues faktik i tokës bujqësore, për parcelat “Moskato” me sipërfaqe 517 m/2 dhe “Vllatorja”, me sipërfaqe 4263 m/2.
Për parcelën “Vllatorja”, familjes së Arqilea Bollano, i është lëshuar nga Bashkia Himarë, Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi nr.11, në datën 25 Gusht 2016.
Sipas këtij informacioni drejtuar Bashkisë Himarë, informacion i përpiluar dhe nënshkruar nga shtetasi Arqilea Bollano dhe Oleg Goro, është bërë takimi me përdoruesit faktikë të tokës bujqësore dhe në bazë të listës së përpiluar dhe dokumentacionit përkatës që është dorëzuar nga çdo qytetar dhe verifikimi i tyre, grupi i punës është dakord që të vazhdohet procedura për tu pajisur me AMTP.
Mbi bazën e këtij dokumentacioni, Arqile Bollano, ka aplikuar pranë ASHK Vlorë, ku më pas nga ana e këtij institucioni është kryer regjistrimi i pasurisë së mësipërme në emër të Bollanos.
Pasi ka rënë në dijeni të këtij regjistrimi, Irakli Likoka ka paraqitur kërkesë në 3 tetor 2022 drejtuar ASHK Vlorë, për vendosjen e kufizimit të përkohshëm ndër të tjera edhe për këtë pasuri. Mbi bazën e kërkesës së Irakli Likoka, regjistruesi i DVASHK Vlorë ka vendosur kufizimit të veprimeve mbi pasuritë.
Rezulton se Arqilea Bollano, ka qenë i trajtuar më parë me tokë bujqësore në pronësi sipas AMTP nr.19441/1996 dhe për këtë arsye ai nuk plotësonte kriteret ligjore për tu trajtuar me tokë bujqësore.