VIDEO/Tragjedi në Kenia! Zjarr në konviktin e një shkolle vajzash, humbin jetën 15 nxënëse

Share

Një zjarr i rëndë në një shkollë me konvikt vajzash në Kenia ka shkaktuar vdekjen e 15 nxënëseve, ndërsa disa të tjera mbetën të plagosura.

Sipas policisë, flakët përfshinë konviktin e Akademisë së Vajzave Utumisi në qarkun Nakuru gjatë orëve të para të mëngjesit. Zjarri shpërtheu rreth orës 1:00 sipas kohës lokale, duke shkaktuar panik mes nxënëseve. Mediat lokale raportojnë se ekipet e shpëtimit dhe zjarrfikësit ndërhynë menjëherë për të vënë situatën nën kontroll dhe për të evakuuar vajzat nga godina që digjej. Autoritetet konfirmuan se zjarri është neutralizuar, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijuan për disa orë.

Samuel Endani, shefi rajonal i policisë, deklaroi se numri i të plagosurve ende nuk është përcaktuar, pasi disa nxënëse po marrin trajtim mjekësor në spitalet e zonës. Shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta dhe autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes tragjike. Ngjarja rikthen në vëmendje një tjetër tragjedi të ndodhur në vitin 2024 në qarkun fqinj Nyeri, ku një zjarr në një shkollë fillore me konvikt u mori jetën 21 nxënësve.




starnews.al

Reklama
Back to top button