VIDEO/ Gazetari i ‘Rai3’ përballë Zekës e Dyrnjasë, presione e intriga. Përgjigjet për Melonin, Ramën e Agaçin e pranon thyerjen e arrestit nga Berisha
Gazetari i televizionit Italian “Rai 3”, Giorgio Mottola ka dhënë një intervistë eksluzive për emisionin “Zona Zero” me gazetarin Milaim Zeka në Top News ku ka folur lidhur me dokumentarin të publikuar ditë më parë në emisionin e tij lidhur me marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për pritjen e emigrantëve.
Përkundër polemikave që ngjalli me dokumentarin e tij dhe reagimet e shumta nga politika shqiptare dhe italiane, Mottola tha se qëllimi i vetëm kishte qenë zbardhja e detajeve sesa do duhet të paguajë Italia për ngritjen e kampit të refugjatëve në Shqipëri.
I pyetur nga gazetari Zeka përse nuk u publikua pjesa e dytë e dokumentarit, Mottola tha se pjesa e dytë do të publikohet së shpejti me intervistën edhe të kryeminsitrit Edi Rama.
“Sepse nuk ishte parashikuar për tu dhënë dje pjesa e dytë. Ne e kemi bërë reportazhin investigative për një kohë shumë të gjatë pune. Për të realizuar dokumentarin na duheshin 3 apo 4 muaj. Pjesa e dytë e dokumentarit për Shqipërinë, do të jepet por do na duhen minimalisht pak kohë dhe nuk kemi pasur asnjë presion. Transmetimi do të bëhet pa problem. Pjesa e dytë do të jepet. Edhe pse kryeministri Rama është treguar i gatshëm për të na dhënë një intervistë dhe pjesa e dytë do të jepet me kryeministrin në intervistë, të cilin e falenderoj prej tani”- tha Mottola.
Ai tha se dokumentari kishte qëllim të zbardhte dritë mbi marrëveshjen e firmosur mes dy vendeve dhe tha se për këtë i duhej të analizonte edhe lidhjet që mund të ketë pushteti në Shqipëri me mafian vendase, duke marrë si shembull raste të ngjashme në Itali ku trafikantë kishin lidhje me zyrtarë shtetërorë.
Pyetje: Në gjithë këtë histori të reagimeve, çfarë të është dukur më e çuditshme?
Mottola: Kanë qenë dy gjëra. E para marrëveshja Itali-Shqipëri që do sjellë për ne një shkarkim ekonomik të çmendur, flasim për 1 miliardë euro. Gjë që nuk na ndihmon për të zgjidhur probleme. Është shumë e çuditshme pse Shqipëria është treguar aq e gatshme për të ndihmuar për të zgjidhur problemin e Italisë. Kontektsti shqiptar ëshë shumë delikat. Italia është një vend ku mafia ndikon në politikë dukshëm. Mafia italiane ka pasur një pushtet shumë të madh, sekretarë, zëvendës minsitra që janë dënuar për këto gjëra. Kjo situatë e Shqipërisë më duket pak më keq me Italinë. Duke qenë se është ky raport kaq i ngushtë miqësie mes vendit tim dhe vendit tuaj, me siguri që ne si vend duam të tregojmë shumë vëmendje ndaj kësaj.
Sa i takon akuzave për sekretarin e Këshillit të Ministrave, Ëngjëll Agaçi, gazetari Italian tha se në asnjë moment nuk ka deklaruar që Agaçi është kriminel por ka publikuar fakte nga e shkuara e tij si avokat në Itali.
“Nuk kam thënë se Agaçi është kriminel. Mund të them se ajo që bën në Itali një gazetar investigative është të kërkojë fakte dhe të provojë nëse janë të vërteta. Fakt është që Agaçi në Itali ka qenë avokat i narkotrafikantëve shqiptarë”- shtoi Mottola.
Lidhur me intervistën me Berishën nëse kishte marrë leje për të hyrë brenda banesës ku ky i fundit mbahet nën arrest shtëpiak për aferën “Partizani”, Mottola zbulon se pavarësisht kësaj askush nuk e kishte penguar të hynte në shtëpinë e ish-kryeministrit pavarësisht se ndalohet me ligj, duke pranuar kështu se kreu i Rithemelimit ka thyer arrestin shtëpiak.
“Në Itali, si në çdo vend të botës së lirë, gazetaria duhet vetëm të tregojë të vërtetën. Një gazetar provon të flasë me këdo, i kërkoj intervista kujtdo. Nëse këta persona pranojnë intervistat, unë shkoj dhe i intervistoj. Kur unë kam bërë intervistën, Berishës nuk më ka ndaluar askush. Asnjeri nuk më ka kërkuar gjë që të hyj dhe t’i bëj intervistën Berishën”- u përgjigj Mottola.
Ndër të tjera ai theksoi se qëllimi i dokumentarit nuk ka qenë të godiste Ramën apo kryeministren Italiane Giorgia Meloni por të tregonte destinacionin e parave të taksapaguesve italianë sa i takon marrëveshjes për pritjen e emigrantëve./m.j
Huazuar nga Javanews.al