Aktualitet dhe Lajme

Video/ Demiral dërgon Turqinë në qiellin e shtatë: Austria zgjohet vonë, Montella në çerekfinale

Share

Turqia është skuadra e fundit që i bashkohet shtatë të tjerave në çerekfinale të Euro 2024. Skuadra e teknikut Vincenzo Montella imponohet 2-1 ndaj Austrisë, duke befasuar strategun Ragnick. Vendosën dy gola të Merih Demiral, ndërsa austriakët u zgjuan vonë, u kthyen në lojë me Gregoritsch, por kaq nuk mjaftoi.

Një provë e madhe e Turqisë, me italianin Montella që kishte hedhur në fushë nga fillimi dy yjet e mëdhenj të skuadrës së tij: adoleshentët Yildiz e Guler. Sulmuesit e Juventus e Real Madrid e dhanë menjëherë impaktin e tyre, edhe pse golin e shënoi Demiral. Qendërmbrojtësi dënoi menjëherë prapavijën kundërshtare, duke shfrytëzuar një top të mbetur në zonë, në minutën e parë të ndeshjes. Austria sulmoi menjëherë, duke e fokusuar lojën te Arnautovic, por turqit i rezistuan invazionit të tyre, duke kundërsulmuar rrezikshëm.

Lexo më tejVideo/ Gakpo bën çfarë do me Rumaninë: gol e assist, Holanda fluturon në çerekfinale

Arnautovic pati dy raste të njëpasnjëshme pas rifillimit, por ai i vetëm me portierin Gunok ishte i bujshëm. Sulmuesi i Inter në ato pak raste kur i shpëtoi mbulimit të Demiral, gaboi krejtësisht atë që do të ishte goli i barazimit. E atëherë erdhi ndëshkimi turk, sërisht me Demiral. Në minutën e 59’ në krosimin e Guler, mbrojtësi kërceu mbi të gjithë duke mposhtur për herë të dytë portierin Pentz. Reagimi i Austrisë nuk vonoi dhe në minutën e 66’ Gregoritsch ngushtoi rezultatin, duke përfituar nga devijimi ajror i Posch. Sidoqoftë, asgjë nuk ndryshoi dhe Austria lë Gjermaninë, duke i hapur rrugën Turqisë që në çerekfinale do të gjejë përballë Holandën.



Huazuar nga Lapsi.al

Back to top button