Video/ Conference e mallkuar, Fiorentina humb finalen e dytë radhazi: Olympiacos kampion në shtesë
Finalja e Conference League sërish e hidhur për Fiorentinën, që u mund 1-0 në Athinë pas kohës shtesë nga Olympiacos. Për grekët dhe gjithë Greqinë është trofeu i parë ndërkombëtar në histori. Ajo që ishte në lojë ishte e rëndësishme dhe finalja dhuroi shumë pak emocione në 120 minuta. Terracciano u tregua i mirë ndaj Podence dy herë në pjesën e parë dhe më pas me ish-sulmuesit viola Jovetic në kohën shtesë. Për skuadrën viola mundësia më e mirë i takoi Kouamé që goditi keq dhe Tzolakis shpëton duke devijuar në këndore. Në minutën e 110′ portieri grek i tha jo Ikoné, e gjashtë minuta më vonë El Kaabi, deri në atë moment në hije, zhytet me kokë para Terracciano duke i dhënë trofeun Olympiacos.
Fitorja e dytë europiane radhazi për Mendilibar. Tekniku i grekëve, sezonin e kaluar mposhti Romën, në finalen e Europa League, kur drejtonte spanjollët e Sevilla. Tekniku po kthehet kështu një makth për skuadrat italiane: dy të mundura në dy finale, në dy vitet e fundit.
Lexo më tej: Video/ Atalanta në histori, fiton Europa League: Lookman ‘terrorizon’ të pathyeshmit e Bayer
HAKMARRJA E MUNGUAR
Supozohej të ishte hakmarrja e Pragës. E përkundrazi u bë dushi i akullit i Athinës. Dy finalet e Conference League të humbura njëra pas tjetrës – gjithmonë në minutat e fundit – janë diçka e patretshme edhe për stomakun më të fortë dhe fytyrat e lojtarëve të teknikut Italiano në fund të ndeshjes tregojnë gjithçka për zemërthyerjen. Olympiacos mposhti Fiorentinën në kohën e dytë shtesë – minutën e 116 – dhe ngriti lart kupën në qiellin e qytetit të tyre. Dështon kështu dopieta europiane italiane dhe dështon edhe misioni për të futur nëntë skuadra në tre kupat e UEFA-s. Përveç Fiorentinës, nata greke i shkaktoi zhgënjim të madh edhe Torinos, që do të kishte marrë pjesë sezonin e ardhshëm në Conference League në rast të një suksesi të Fioreninës.
Huazuar nga Lapsi.al