Ukraina mohon pretendimet e Rusisë se është përgjegjëse për rrëzimin e avionit: Nuk ka prova
Zyrtarët në Ukrainë thanë se Rusia nuk ka ofruar asnjë provë të besueshme për të mbështetur pretendimet e saj se forcat ukrainase rrëzuan një aeroplan transporti ushtarak. Moska thotë se avioni mbante të burgosur lufte ukrainas që do të shkëmbeheshin me robër rusë.
Agjencia ukrainase që merret me shkëmbimin e të burgosurve tha të premten vonë se zyrtarët rusë i kishin dhënë “me shumë vonesë” një listë të 65 ukrainasve për të cilët Moska tha se kishin vdekur në rrëzimin e avionit në Belgorod të Rusisë të mërkurën.
Shtabi Koordinues i Ukrainës për trajtimin e të burgosurve të luftës tha se të afërmit e të burgosurve nuk ishin në gjendje të identifikonin të dashurit e tyre pas aksidentit.
Përditësimi i agjencisë citoi shefin e inteligjencës ushtarake të Ukrainës, nënkolonelin Kyrylo Budanov, i cili tha se Kievi nuk kishte informacion të verifikueshëm se kush ishte në aeroplan.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha të mërkurën se raketat e lëshuara nga përtej kufirit rrëzuan aeroplanin e transportit që sipas saj po kthente të burgosurit në Ukrainë.
Autoritetet lokale në Belgorod, i cili kufizohet me Ukrainën, thanë se përplasja vrau të 74 personat në bord, duke përfshirë gjashtë anëtarë të ekuipazhit dhe tre ushtarakë rusë.
“Aktualisht nuk kemi prova që mund të ketë pasur kaq shumë njerëz në bordin e avionit. Pretendimi i propagandës ruse se avioni IL-76 po transportonte 65 të burgosur ukrainas për një shkëmbim të të burgosurve vazhdon të ngrejë shumë pikëpyetje”, tha Budanov.
Përdoruesit e mediave sociale në rajonin e Belgorodit postuan një video të mërkurën që tregonte një aeroplan duke rënë nga qielli në një zonë rurale me dëborë dhe një zjarr i madh shpërtheu kur goditi tokën.
Kievi as nuk ka konfirmuar e as mohuar që forcat e tij kanë rrëzuar një aeroplan transporti ushtarak rus atë ditë dhe pretendimi i Rusisë se rrëzimi vrau të burgosurit ukrainas nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.
Më herët të premten, Mykola Oleshchuk, komandanti i forcave ajrore të Ukrainës, e përshkroi pohimin e Moskës si “propagandë ruse të shfrenuar”./albeu.com