U inaugurua një muaj më parë, hiqet memoriali për katër policët e vrarë nga Dritan Dajti në Durrës
Një muaj pasi u vendos, është hequr nga vendi memoriali i 4 policëve të vrarë nga Dritan Dajti në qytetin e Durrësit. Rreth katër javë më parë në Durrës u inaugurua pllakata për 4 efektivët e rënë krye të detyrës më 7 gusht të vitit 2009.
Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feska dhe Saimir Duçkollari u përjetësuan në një nga rrugët kryesore të qytetit. Rruga në qytetin e Durrësit u riemërua si rruga “Dëshmorët e Kombit” në nderim të tyre, por sot, 4 shtator 2024, memoriali në nder të 4 policëve të operacionales është hequr.
Vepra e skulptorit Ardian Pepa e realizuar nën kujdesin e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, nuk është më dhe aty kanë ngelur vetëm vidat, siç duket edhe në pamjet.
Megjithatë, burime të Policisë së Durrësit thonë për News24, se memoriali është larguar sepse i ishin liruar vidat, ndërsa nuk dihet ende se kur do të rivendoset pllakata përkujtimore e 4 policëve.
Efektivët e Njësisë Operacionale të Policisë së Shtetit, mbetën të vrarë në operacionin e 7 gushtit të vitit 2009, kur ndërhynë në zonën e plazhit për të arrestuar Dritan Dajtin, i cili ishte në kërkim për vrasjen e biznesmenit Agim Beqo.
Në korrik të vitit 2014, Dritan Dajti u dënua nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda me burgim të përjetshëm për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” ndaj punonjësve të policisë Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj gjatë një operacioni për arrestimin e tij më 7 gusht të vitit 2009 në plazhin e Durrësit.