U denoncua nga kryetari i PS në Lezhë, reagon Gjin Gjoni: Nuk kishte armë, thjesht po mbrojmë votën

Kandidati i listës së hapur të Partisë Demokratike në Qarkun e Lezhës, Gjin Gjoni, ka reaguar ndaj akuzave të bëra nga kryesocialisti dhe kandidati për deputet, Ermal Pacaj, lidhur me një incident të ndodhur një mbrëmjen e djeshme në Dajç.
Gjoni ka mohuar kategorikisht çdo përfshirje në ndonjë situatë me armë, duke sqaruar se ngjarja ka ndodhur jashtë automjetit dhe se nuk ka patur asnjë armë në posedim.
Sipas tij, makina e tij ishte ndjekur që nga fshati Mabë deri në Dajç, dhe të gjitha automjetet e përfshira, si dhe personat në to, janë të identifikueshëm.
Ai ka shtuar se gjithçka lidhet me përpjekjet për të mbrojtur integritetin e votës, duke theksuar se në terren janë organizuar grupe vullnetarësh që po monitorojnë procesin zgjedhor, pas informacioneve të përsëritura për përpjekje për blerje votash.
“Nuk po bëjmë fushatë me akuza, por po mbledhim prova,” u shpreh Gjoni, duke nënvizuar se, si ish-pjesë e sistemit të drejtësisë, ka bindjen se çdo shqetësim duhet hetuar.
Ai i bëri thirrje Prokurorisë dhe SPAK-ut që të ndërhyjnë pa vonesë dhe të hetojnë çdo veprim që cenon zgjedhjet e lira dhe të ndershme.