Aktualitet dhe Lajme

Turqia mposht 1-2 Austrinë dhe gjen Holandën në çerekfinale

Share

Turqia fitoi 1-2 kundër Austrisë në 1/8 e Euro 2024 dhe bëhet skuadra e fundit që kalon në çerekfinale, aty ku gjen Holandën. Turqit iu falën dopietës së Merih Demiral, i cili vendosi një rekord në këtë kompeticion. Ndërkohë në këtë duel të tre golat erdhën si pasojë e goditjeve nga këndi, gjë që nuk ndodhte në Evropian që nga viti i largët 1980.

Ndeshja/ Turqia gjeti avantazhin pas vetëm 57 sekondave lojë. Një top i mbetur në rrëmujën e zonës u shfrytëzua nga Demiral që e dërgoi në rrjetë. Festë për turqit dhe goditje për Austrinë. Demiral bëhet lojtari me golin më të shpejtë në Evropiane sa i takon fazës me eliminim direkt dhe vendos emrin në listë si i dyti golashënues pas Nedim Bajramit, yllit të Shqipërisë që i shënoi Italisë pas 23 sekondave në këtë Euro 2024 dhe mban rekordin për golin më të shpejtë në 17 Evropianët e zhvilluar.

Pjesa e dytë e ndeshjes u shoqërua me shi të dendur në stadium, çka bëri që loja të ishte më e shpejtë. Duhej sërish një goditje këndi në minutën e 59 që Demiral të shënonte dopietën personale dhe golin e dytë për turqit, duke qetësuar Montellën në stol.

Ndërkohë Austria nuk u pajtua me këtë rezultat dhe gjeti golin e parë me Gregoritsch në minutën e 66-të. Austriakët e Rangnick kishin edhe disa mundësi që nuk u shfrytëzuan nga Arnautovic dhe në fund janë jashtë Euro 2024 edhe pse shiheshin si favoritët në këtë duel.

Kështu, në datën 6 korrik në orën 21:00 në Berlin luhet çerekfinalja mes Holandës dhe Turqisë.


Huazuar nga Javanews.al

Back to top button