Turbulenca në fluturimin Madrid – Montevideo/ 30 pasagjerë të lënduar

Një aeroplan i kompanisë spanjolle “Air Europa” u detyrua të bëjë një ulje emergjente mëngjesin e 1 korrikut në Brazil, pasi u përball me turbulenca të forta që shkaktuan rreth 30 të lënduar. Avioni, një Boeing 787-9 që mbante 325 pasagjerë u nis nga Madridi për në Montevideo në Uruguaj.
Ky është incidenti i tretë e i lloji brenda pak javësh. Të dhënat e ofruara nga platforma Flightradar24 tregojnë një ndryshim të rëndësishëm në shpejtësinë në një lartësi prej 11 mijë metrash rreth orës 6.34 të mëngjesit.
Gjatë turbulencave disa persona, të cilët në atë moment nuk kishin vendosur rripat e sigurimit, u përplasën në tavan, duke dëmtuar pjesët e brendshme të avionit. Pilotët, të alarmuar nga stjuardesat, kërkuan një ulje emergjente në Natal të Brazilit, për ndihmën e parë. Ishin 15 ambulanca që prisnin avionin thanë mediat lokale. Nga 30 të plagosurit, 7 u shtruan në spitalet e qytetit, ndërsa të tjerët “pësuan mavijosje të vogla”.
Më 26 maj, një Boeing 787 i Qatar Airways – i cili po fluturonte nga Doha për në Dublin – u përplas me turbulenca të forta ndërsa fluturonte mbi Turqi. Avioni u ul rregullisht në Irlandë me 12 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit të plagosur. ©LAPSI.al
Huazuar nga Lapsi.al