Trajnimet kanë humbur funksionin, duhen investime në laboratorë dhe teknologji
Arsimi momentalisht është në një kaos total. Ata që nuk e pranojnë, dhe refuzojnë ta shikojnë kështu, dhe ta shfaqin publikisht këtë kaos arsimor, ata janë dashakeqës.
Të jesh realist, sidomos kur nuk do të thotë:
Të mos e duash vendin tënd.
Të mos e duash arsimin.
Të mos e duash zhvillimin e të rinjve.
Përkundrazi, të jesh realist dhe ta shikosh realitetin në sy, kur sot vendi ynë ka nevojë më shumë se kurrë që ky realitet të ketë zërin kritik të të gjithëve, do të thotë ta duash vendin tënd, ta duash zhvillimin e arsimit në funksion të zhvillimit të shoqërisë, ta duash zhvillimin e arsimit në funksion të zhvillimit të vendit nëpërmjet ideve dhe pjesëmarrjes së brezave të rinj.
Udhëzimi nr.16, datë 22.07.2024, “për organizimin dhe funksionimin e sistemit të zhvillimit të vazhdueshëm profesional të punonjësve arsimor”, për ta përfshirë me pak fjalë: Është një udhëzim që nuk ka ndonjë gjë të re. Mësuesit gjithnjë janë trajnuar, në tema të ndryshme.
Madje shpesh mësuesit që kanë mbi 10 vite në arsim, i shohin trajnimet si një humbje kohe, sepse pothuajse janë të njëjtat tema.
Numri i krediteve, në besimin tim, nuk e rrit cilësinë në arsim. Thjesht ky udhëzim mendoj se po kërkon dixhitalizimin e dokumenteve të mësuesve dhe ndjekje dixhitale të tyre. Kaq.
Problemi më i madh që ka humbur cilësia, është humbja e cilësisë në të gjithë zinxhirin arsimor, AMU, AML dhe iAL.
Kjo për shumë faktorë politiko – socio – ekonomikë.
Për sa i përket arsimit AMU – AML mendoj se problematikat kryesore dhe që implementimi real i tyre do sjellë një arsim cilësor janë si vijojnë më poshtë:
Mjetet mësimore, për laboratorë të fushës natyrore dhe fushës shoqërore.
Identifikimi real dhe puna reale me talentet (krijimi i klasave të talenteve).
Kushtet e mjedisi ku zhvillohet mësimi.
Përdorimi i teknologjisë në shkolla.
Investimi (me para) i projekteve nga shteti, ku çdo shkollë të realizojë një projekt me nxënësit, me të gjitha etapat e tij, për të gjithë vitin mësimor.
Këto pika për sa i përket përgatitjes shkencore dhe kritike të nxënësve.
Depolitizimi i punësimeve të mësuesve, si dhe ndikimi politik në punësimet e mësuesve;
Hartimi i ligjeve ku të shikohet mundësia e depolitizimit të drejtorëve në arsim, në nivele shkolle, ZVA-je dhe DRAP. Edhe kjo është një nevojë emergjente dhe jetike për arsimin.
Ky depolitizim nuk mund të justifikohet me shkollën e drejtorëve, sepse atë shkollë e ndjekin drejtorë që kanë thyer ligjet me dhjetëra apo qindra herë dhe që për mendimin tim, çdo drejtor që aplikon në atë shkollë duhet të hetohet imtësisht, dhe pastaj të pranohet në atë shkollë;
Forcimi i marrëdhënieve komunitet – mësues – nxënës. Kjo të realizohet nëpërmjet disa temave gjatë vitit. Këto tema të jenë të realizueshme vetëm nëpërmjet pjesëmarrjes së komunitetit. Këto tema të përfshijnë fusha të ndryshme natyrore dhe shoqërore;
Forcimi i rolit të mësuesit, ku mësuesi të ketë të drejtë reaguese të argumentuar, në çdo lloj mënyre, për probleme të ndryshme, sidomos kur ato probleme lidhen me çështje të pikës 1- Rritja e pagës së mësuesve 1000 euro minimalja, sepse kjo rrit konkuerencën, ul sadopak emigracionin etj.
Këto janë çështje, të cilat prishin shtëpinë arsimore pa themele dhe pa cilësi, dhe ndërtojnë një shtëpi arsimore cilësore me themele. Pas zgjidhjes së këtyre problemeve, mund të aplikohen udhëzime si ai nr.16., përndryshe është farsa e radhës që i bëhet me vetëdije arsimit cilësor./ Monitor