Aktualitet dhe Lajme

Tjetër aksident ajror në SHBA, avioni rrëzohet mbi disa banesa

Share

Mbrëmjen e së premtes, një avion transporti u rrëzua në Filadelfia rreth 30 sekonda pasi u ngrit, duke dëmtuar disa shtëpi në një kryqëzim të ngarkuar të qytetit.

Gjashtë persona ishin në bordin e avionit, tha Administrata Federale e Aviacionit.

Rrëzimi i avionit tronditi banorët dhe ndodhi dy ditë pas përplasjes së një helikopteri ushtarak me një avion civil në Uashington.

“Gjithçka që dëgjuam ishte një zhurmë e fortë dhe nuk e dinim nga po vinte.

Pas pak pamë shtëllungën e madhe të tymit”, tha Jim Quinn, banor i një lagjeje të qytetit afër zonës ky ndodhi aksidenti.

Shpërthimi ndodhi më pak se 4.8 kilometra nga aeroporti verilindor i Filadelfias, i cili shërben kryesisht për avionët e biznesit dhe fluturimet çarter.

Avioni “Learjet 55” u zhduk nga radarët pak kohë pas ngritjes nga aeroporti në orën 18:06 dhe pasi arriti në një lartësi prej 487 metrash.

Avioni po udhëtonte drejt qytetit të Springfildit në Mizuri dhe ishte i regjistruar në pronësi të kompanisë “Med Jets”, sipas faqes së internetit “Flight Aware”, që merret me gjurmimin e fluturimeve.

Përplasja vjen dy ditë pas katastrofës më vdekjeprurëse të aviacionit në vend në pothuajse 25 vjet.

Një avion i kompanisë “American Airlines” me 60 pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit, u përplas në ajër të mërkurën mbrëma në Uashington me një helikopter të ushtrisë amerikane me tre ushtarë në bord.

Nuk kishte asnjë të mbijetuar nga ky aksident.

Guvernatori i Pensilvanisë, Josh Shapiro, tha se ai ka ofruar të gjitha “burimet e shtetit për të reaguar ndaj aksidentit në Filadelfia”./VOA




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button