Studimi: 66% e studentëve punësohen menjëherë, 40% jashtë profilit

Share

Studentët shqiptarë të sapodiplomuar e kanë të vështirë të integrohen menjëherë në tregun e punës, dhe pothuajse gati gjysma e tyre punojnë në profile që nuk kanë lidhje me arsimin.

Raporti më i fundit mbi “Trendet dhe Zhvillimet në Edukim, Aftësi dhe Punësim 2025” i Fondacionit Europian të Trajnimeve tregon zhvillime të ndërlikuara të tregut të punës në Shqipëri, ku suksesi i diplomimit shpesh nuk përkthehet në një karrierë të sigurt apo të përshtatshme me kualifikimin.

Sipas të dhënave, Shqipëria regjistron një normë punësimi prej 66% për të diplomuarit e rinj. Ky tregues është shumë mëi ulët kur krahasohet me standardin e Bashkimit Europian, i cili ka një normë punësimi prej 82.4%.

Ky hendek prej më shumë se 16 pikë përqindjeje tregon se një pjesë e konsiderueshme e investimit njerëzor në arsim mbetet e pashfrytëzuar ose e keqorientuar në tregun e punës.

Problemi më i mprehtë që nxjerr në pah raporti është mospërputhja e aftësive. Rezulton se rreth 30% deri në 40% e të diplomuarve me arsim të lartë ushtrojnë profesione që nuk kanë lidhje me kualifikimet e tyre arsimore.

Fenomeni dëshmon për një lidhje të dobët të ndërmjet sistemit arsimor dhe tregut të punës, duke detyruar forcën e re të punës të pranojë pozicione që nuk shfrytëzojnë potencialin e tyre të plotë, duke çuar në humbje të produktivitetit në rang kombëtar.

Përtej vështirësisë për të gjetur një punë në profesion, cilësia e vendeve të punës në Shqipëri mbetet një shqetësim madhor. Më shumë se gjysma e të gjitha vendeve të punës në vend klasifikohen si “punësim i ndjeshëm” (vulnerable employment), një normë që është sa dyfishi ose trefishi i mesatares së BE-së.

Kjo shoqërohet edhe me një nivel të ulët investimi publik në arsim, ku Shqipëria shpenzon vetëm 2.9% të PBB-së, duke mbetur ndjeshëm nën mesataren e BE-së prej 4.7%. Mungesa e fondeve reflektohet drejtpërdrejt në cilësinë e nxënies, ku 73.9% e 15-vjeçarëve shqiptarë rezultojnë me mungesë të aftësive bazë në matematikë, duke krijuar një cikël vështirësish që nis që në shkollë dhe kulmon me vështirësitë në tregun e punës.

Raporti sugjeron se për Shqipërinë, sfida nuk është vetëm rritja e numrit të të punësuarve, por përmirësimi i cilësisë së vendeve të punës dhe harmonizimi i programeve mësimore me kërkesat reale të ekonomisë, për të shmangur humbjen e kapitalit njerëzor përmes punësimit të pasigurt dhe mospërputhjes profesionale.


Start News

Reklama
Back to top button