Sterilizimi/ Beqaj dëshmon për herë të parë në Komisionin Hetimor: Nga burgu në Kuvend, i shoqëruar nga efektivët
Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, sapo ka mbërritur në Kuvendin e Shqipërisë ku pritet të dëshmojë në Komisionin hetimor parlamentar për koncesionin e Sterilizimit.
Beqaj erdhi në Kuvend nga ambjentet e burgut i shoqëruar nga forca policie.
Ish-ministri i prangosur kishte vënë një xhaketë tek duart, që të mos shiheshin prangat teksa efektivët e shoqëronin nga furgoni i policisë në hyrjen e Kuvendit.
Pas pak Beqaj do dëshmojë para komisionit, siç bëri dje biznesmeni Ilir Rrapaj edhe ai i ardhur nga burgu për disa orë në komision.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është dëshmitari i radhës i thirrur në Komisionin Hetimor, për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-Up në Shëndetësi.
Beqaj ishte njoftuar të dëshmojë në Kryesinë e Kuvendit, për rolin e tij në koncensionin e Sterilizimit.
Kujtojmë se sa i përket ‘Sterilizimit’, Beqaj është nën hetim me masë “detyrim paraqitje”.
Në lidhje me “Sterilizimin”, Prokuroria ka ngritur veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” ndaj Beqajt lidhur me procedurat e dhënies së koncesionit me vlerë 100 milionë Euro, në vitin 2015.
Ditën e djeshme, në këtë komision ka dëshmuar biznesmeni Ilir Rrapaj (i arrestuar për koncensionin e Sterilizimit).
Që në nisje të dëshmisë, Rrapaj mohoi të kishte njohje me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, të cilin tha se për herë të parë e kishte takuar në 22 Nëntor të 2013, në një aktivitet të zhvilluar nga qeveria dhe Kryeministri Rama në Pallatin e Koncerteve.
Ndërkohë sa i takon 6 ish-zyrtarëve dhe anëtarëve të Komisionit të Ofertave, ata janë në masë sigurimi detyrim paraqitje, pasi SPAK i akuzon për falsifikim dokumentesh në procedurën e dhënies së koncesionit në 2015.