Aktualitet dhe Lajme

SPAK zbardh detaje nga takimi mes Altin Dumanit dhe ndihmës sekretarit amerikan

Share

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, ka pritur sot në takim në ambientet e SPAK, ndihmës Sekretarin e Departamentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Zyrës Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd D. Robinson.

Në takim morën pjesë gjithashtu edhe Aida Hajnaj, Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit, John C. Kastning, Drejtori i Byrosë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, si dhe përfaqësues nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (OPDAT).

Gjatë këtij takimi Dumani, bëri një prezantim të veprimtarisë së Prokurorisë së Posaçme, dhe treguesve të këtij institucioni mbi hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa Hajnaj u ndal tek funksionimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit, dhe procesi i rivlerësimit të hetuesve të kësaj strukture.

Gjithashtu, Dumani falenderoi ndihmës sekretarin Robinson për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë ofruar SPAK, duke filluar që nga themelimi i kësaj Strukture dhe në vijimësi në procesin e konsolidimit dhe specializimit të saj.

Dumani nënvizoi rolin e rëndësishëm dhe thelbësor që ekspertët e misioneve të asistencës dhe përfaqësuesve të agjencive ligjzbatuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë luajtur jo vetëm në zhvillimin e SPAK, por dhe në ndihmën e dhënë në bashkëpunimin ndërkombëtar me agjencitë ligjzbatuese partnere.

Nga ana tjetër, Todd D. Robinson, vlerësoi ecurinë e punës dhe arritjet e Prokurorisë së Posaçme, duke theksuar se Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, riafirmon se mbështetja ndaj SPAK do të vijojë me të njëjtat ritme, me qëllim arritjen e objektivave ligjore të kësaj Strukture, që lidhen me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, me synimin e konsolidimit të shtetit ligjor dhe dhënies fund të kulturës së pandërshkueshmërisë.

 




Huazuar nga Albeu.com

Një kafe nga ju!

Back to top button