SPAK mbyll hetimet për dosjen “Partizani”, Argita Malltezi: Sali Berisha nuk ka shkelur kurrë ligjin
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, i cili prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar ndodhet në izolim në masën e arrestit në shtëpi, të mërkurën do të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme, SPAK, për të firmosur mbylljen zyrtare të hetimeve lidhur me procedurën e ndjekur për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë.
Së bashku me mbylljen zyrtare të hetimeve, të pandehurit do të marrin edhe të gjitha aktet përfundimtare.
Berisha është në hetim për veprën penale të korrupsionit së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet nga SPAK se ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi, dyshohet në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Në një deklaratë për shtyp, së bashku me avokatin Genc Gjokutaj, e bija e ish-kryeministrit, Argita Malltezi, theksoi se Sali Berisha nuk ka shkelur asnjëherë ligjin, dhe kjo sipas saj, është e vërtetuar me prova dhe fakte.
Sipas saj, Sali Berisha nuk ka favorizuar Jamarbër Malltezin për privatizimin e ish-kompleksit Partizani.
“Aktakuza është dekoratë për Sali Berishën pasi ka bërë vettingun 30 vjeçar të pasurisë së tij dhe familjarëve të tij dhe nga ky vetting rezulton se Berisha nuk ka shkelur ligjin dhe nuk ka pasur kurrë përfitim të paligjshëm. Nëse do të kishte pasur do të ishte në gjyq për këto shkelje apo përfitime dhe jo për tokën e gjyshes së Jamarbër Malltezit.
Kjo aktakuzë tregon falsifikimet që janë bërë nga ato që kanë qenë shtyllat kryesore të hetimit. Në radhë të parë në lidhje me pronën nuk kanë mundur të shtyhen në mashtrimin që coi në arrestin e Berishës dhe Malltezit se gjoja ka qenë e shpronësuar nga Italia. Ne kemi vënë në dispozicion dokumentet që provonin kthimin e pronës dhe më pas kemi bërë publike dokumentet që lidhen me fletoren zyrtare”, u shpreh Argita Malltezi.