Sot Kuvendi i Berishës, çfarë pritet të ndodhë
Sot, në orën 10:00, do të mblidhet Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike i thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Kuvendi do të mblidhet në stadiumin “Air Albania” dhe sipas Berishës janë mbledhur më shumë se 4200 firma të delegatëve.
Gjatë takimit të sotëm, sipas deklaratave të demokratëve që mbështesin Berishën, pritet që të ndryshohet statuti i Partisë Demokratike dhe shkarkimin e kryetarit aktual, Lulzim Basha.
11 dhjetori nuk është një datë e rastësishme për Berishën, por në një datë simbolike për demokratët.
Ai duket se ka zgjedhur ditën e themelimit të PD-së, për të mbështetur edhe deklaratat e tij se kërkon t’i japë sovranitetin PD-së dhe ta kthejë në vlerat e saj të para.
Nga ana tjetër, Lulzim Basha vazhdon me qëndrimin e tij se Kuvendi i 11 dhjetorit është anti-amerikan dhe ka për qëllim bunkerizimin e partisë për hir të interesave personale të ish-kryeministrit.
Pas thirrjes së Kuvendit të Berishës, Basha ka thirrur një Kuvend tjetër, atë të datës 18 dhjetor, për të cilin thotë se është legjitim, ndryshe nga ai i Berishës, që e cilëson thjesht një miting.
Kujtojmë se marrëdhëniet mes Bashës dhe Berishës janë prishur më 9 shtator, ditën kur kryedemokrati e përjashtoi ish-kryeministrin nga grupi parlamentar pas shpalljes “non grata” nga SHBA.
Menjëherë pas këtij vendimi, Berisha u mobilizua dhe nisi aksionin për rimarrjen në dorë të partisë, duke mbajtur në të gjitha qytetet e Shqipërisë “Foltoren” dhe tashmë po e finalizon me Kuvendin Kombëtar, ditë të cilën Berisha e quan ditëlindje të dytë të PD-së./albeu.com