Simpoziumi “Kalaja e Dodës – Identitetet, Trashëgimia dhe Perspektiva Zhvillimi” mblodhi studiues nga Shqipëria, Kosova dhe Turqia

Share

Tiranë – Shoqata Atdhetare, Kulturore dhe Mjedisore “Kalaja e Dodës” organizoi simpoziumin shkencor me temë “Kalaja e Dodës – Identitetet, Trashëgimia dhe Perspektiva Zhvillimi”, një aktivitet i rëndësishëm që bashkoi studiues, intelektualë, përfaqësues institucionesh dhe anëtarë të komunitetit për të diskutuar mbi historinë, kulturën dhe perspektivat e zhvillimit të kësaj treve.

Në hapje të aktivitetit, pjesëmarrësit u përshëndetën nga kryetari i Shoqatës “Kalaja e Dodës”, Resul Domi, i cili theksoi rëndësinë e ruajtjes së identitetit krahinor dhe promovimit të vlerave historike e kulturore të zonës.

Një përshëndetje të veçantë përcolli edhe Kryetari i Bashkisë Dibër z.Rahim Spahiu, i cili uroi suksesin e simpoziumit dhe përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit, si dhe banorët e komunitetit të Kalasë së Dodës, duke vlerësuar kontributin e tyre në ruajtjen e traditave dhe zhvillimin e trevës.

Simpoziumi u zhvillua në pesë seanca tematike dhe përfshiu 11 tema shkencore, të referuara nga lektorë dhe studiues nga Shqipëria, Kosova dhe Turqia. Referimet trajtuan një gamë të gjerë çështjesh që lidhen me trashëgiminë historike, identitetin kulturor, dokumentimin arkivor, diasporën, vlerat shpirtërore dhe perspektivat e zhvillimit ekonomik të zonës.

Gjatë diskutimeve u evidentuan vlerat etnografike dhe historike të Kalasë së Dodës, u sollën në vëmendje dokumente nga arkivat osmane dhe burime të tjera historike, si dhe u trajtuan aspektet e organizimit shoqëror dhe juridik të komunitetit ndër shekuj. Një vend të rëndësishëm zuri edhe roli i diasporës në ruajtjen e lidhjeve me vendlindjen dhe në mbështetjen e iniciativave zhvillimore.

Pjesëmarrësit ndalën gjithashtu te rëndësia e trashëgimisë shpirtërore, traditave familjare dhe potencialeve që ofron zona për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm dhe promovimin e pasurive natyrore.

 

Ky aktivitet shënon një moment të rëndësishëm për komunitetin, pasi konsiderohet simpoziumi i parë i organizuar në këto përmasa dhe dimensione nga komuniteti i Kalasë së Dodës dhe Shoqata “Kalaja e Dodës”, duke krijuar një platformë të gjerë shkencore dhe kulturore për promovimin e vlerave të trevës.

Në përfundim të punimeve u shpërndanë certifikata mirënjohjeje për referuesit dhe kontribuuesit, ndërsa aktiviteti u mbyll me mesazhin përshëndetës të nënkryetarit të Shoqatës “Kalaja e Dodës”, Sefedin Ahmati, i cili falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, studiuesit dhe mbështetësit e aktivitetit, duke theksuar nevojën për vazhdimin e nismave që ruajnë historinë, identitetin dhe promovojnë zhvillimin e trevës.

Simpoziumi dëshmoi angazhimin e vazhdueshëm të Shoqatës “Kalaja e Dodës” për të mbajtur gjallë kujtesën historike, për të forcuar identitetin kulturor dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi për zhvillimin e ardhshëm të kësaj zone me vlera të veçanta.

Reklama
Back to top button