Aktualitet dhe Lajme

Shqipëria në udhëkryq mes sistemit dhe kaosit

Share

Nga Ilir Yzeiri

Pas rënies së diktaturës, shqiptarët nuk e kuptuan se çfarë sistemi po kërkonin të ndërtonin. Në themel të përmbysjes ishte shkatërrimi i rregullit. Gjithçka e ndërtuar deri në atë kohë perceptohej si shkatërrim, regres dhe antishqiptare. Problemi dukej i thjeshtë sepse në vetëdijen kolektive po ngulitej ideja që mjafton të mohoje, të shkatërroje dhe të denoncoje të shkuarën tënde dhe ti automatikisht kishe ndërtuar modelin tjetër. Sot të gjithë po vëmë re se që nga ajo kohë ne, në fakt, e kemi shpartalluar kuptimin për sistemin, që do të thotë se shoqëria shqiptare nuk ka mundur dhe nuk po mundet që të ndërtojë shoqërinë e saj duke fuqizuar sistemin social, burokratik, arsimor, juridik dhe atë të sigurisë kombëtare.

Për hir të së vërtetës, vetëm një strukturë po duket sikur ka nisur të vendoset në bazamentin e shkërmoqur të shtetit shqiptar dhe kjo strukturë është SPAK. Eksperimentin e saj e bënë të huajt dhe vini re se çfarë impakti ka mbi shoqërinë. Ndërkohë, mendoni sikur me këtë frymë dhe me këtë seriozitet të kishim ndërtuar administratën shtetërore, burokracinë e palëvizshme dhe atë që mban të gjallë shtetin, pra mendoni sikur administrata shtetërore të ishte rregulluar me ligje të tilla që t’i jepnin asaj pavarësi politike, ekonomike dhe garanci juridike, ashtu siç ndodh në vendet normale dhe do të kuptonim se forca e partive politike do të binte.

Mirëpo, ne, sot, gjithë sistemin e kemi vendosur në shërbim të partive politike të cilat qeverisin jo me programin kombëtar të vendit por me idetë dhe voluntarizmin e liderit partiak. Që të ndodhte kjo ne duhet të kishim krijuar kulturën e familjarizimit me ligjin dhe me formalizimin e jetës shoqërore në të gjitha hallkat e saj. Mirëpo ka ndodhur e kundërta. Veçanërisht në këta vitet e fundit kur Parlamenti është kthyer në një vend lufte, askush nuk dëgjon apo merr vesh se çfarë ligjesh miratohen, sa prej atyre ligjeve njihen nga ne dhe sa të tjera do të duhej të bëheshin në mënyrë që të vendosej jeta jonë mbi binarë ligjorë.

Në Shqipëri, për fat të keq, po instalohet kultura e vjetër që jeta e çdo individi nuk varet nga sistemi ligjor që ndërtojmë, por nga vullneti politik i atij që na drejton. E gjithë kjo ka sjellë më pas edhe luftën pa asnjë ide e pa asnjë princip që bëhet mes palëve politike. Fjala vjen, ajo që po ndodh tani në fund me Erion Veliajn e ilustron më së mirë këtë. Veliaj është kryetari i Bashkisë më të madhe në vend. Posti që ai mban e detyron atë që të firmosë vendime vetëm atëherë kur ato kanë kaluar të gjitha hallkat kolegjiale që nisin me Këshillin Bashkiak e përfundojnë me sektorët përkatës. Ai ka dorëzuar në SPAK të gjithë dokumentacionin nga i cili organi i hetimit dyshon se mund të jenë bërë abuzimet në hallka të tjera.

Nëse do të ishim në një shtet normal me një sistem të ngritur, të gjithë duhet ta përshndesnim këtë hap të Veliajt sepse, më në fund, te ne po krijohet kultura që drejtësia nuk është një sistem armiqësor, por është një sistem që na mbron të gjithëvë nga shkeljet dhe se para ligjit të gjithë janë të barabartë. Veliaj nuk ka asnjë akuzë. Ai është titullari i një prej instituciineve më të zhvilluara në vend. Pikërisht në mungesë të këtij sistemi ka triumfuar kaosi dhe retorika e luftës.

Është e kotë të përmendësh tani plagën e madhe që i ka shkaktuar këtij vendi veprimtaria shkatërruese dhe nxitja e kaosit nga Sali Berisha. Duke zaptuar hapësirën publike dhe duke e shndërruar atë në një arenë të pështirë lufte, shoqëria shqiptare ka përjashtuar nga vëmendja e saj jetën dhe fatin e të rinjve, jetën dhe fatin e arsmit shqiptar, jetën dhe fatin e natyrës dhe zonave të mbrojtura. Në një vend ku gjithçka është në përleshje e përplasje, në një hapësirë ku nga mëngjesi në darkë të gjithë duhet të shohin e të dëgjojnë retorikën e kaosit, në këtë vend ka shumë pak hapësirë për të ngjallur shpresë, për të ndërtuar një jetë të qetë e për ta gëzuar këtë vend.


Huazuar nga Javanews.al

Back to top button