Shfaqet Francesco Becchetti: Dua 135 mln € që Italia do i japë Shqipërisë për emigrantët
Në emisionin “Report” të RAI 3 u trajtua mbrëmjen e kësaj të diele marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për çështjen e emigrantëve. Në emision u ngrit shqetësimi se një pjesë e parave që Italia do të japë për ngritjen e qendrave të emigrantëve mund të shkojnë në xhepat e Francesco Becchetti, sipërmarrësit që themeloi Agon Channel dhe që më pas u mbyll.
“Shqipëria u dënua nga gjykatat e Arbitrazhit me 135 milionë euro dëmshpërblim për biznesmenin italian, por nuk ka ndërmend ta paguajë. Dhe për këtë arsye ai ka vendosur të sekuestrojë në mënyrë parandaluese një pjesë të fondeve të destinuara për qeverinë e Tiranës” – thuhej në investigim.
Gazetari italian Giorgio Mottola ka intervistuar Becchetti-n i cili thotë se ndihet të jetë ai investues i ngritjes së qendrave të emigrantëve pasi 135 milionë euro që Italia do i japë Shqipërisë janë të tijat.
“Paradoksalisht po. Jam unë ai që mund që quhem financues i qendrave të emigrantëve. 135 milionë euro që Italia po i jep Shqipërisë janë të miat” – thotë Becchetti, citon lapsi.al.
Por RAI3 zbulon se në marrëveshjen Rama – Meloni është shtuar një pikë me numrin 8 në nenin 3 ku thuhet se paratë që do të vijnë nga Roma për ndërtimin e qendrave të emigrantëve nuk mund të pretendohen nga persona të tretë. Becchetti thotë se neni është antikushtetues.
“Ai është një nen “ad personam” ndaj meje në shkelje të konventave për të drejtat e njeriut dhe në kundërshtim me kushtetutën. Ai nen është nul” – thotë sipërmarrësi italian.
Bechetti po bën të gjitha përpjekjet për të marrë 135 milionët e fituara në arbitrazh. Për këtë thuhet se ai arriti të bllokojë miliona euro që i takonin Albcontrol duke hapur çështje në disa gjykata europiane me qëllim bllokimin e aseteve që Shqipëria ka jashtë vendit. ©LAPSI.al
Huazuar nga Lapsi.al