
Administrata e Donald Trump po përgatitet të dëbojë dhjetëra emigrantë dhe azilkërkues afganë drejt Pakistanit
Një zyrtar i lartë tha për NBC News se mes atyre që përballen me dëbim janë edhe të afërm të afganëve që kanë punuar me ushtrinë amerikane gjatë luftës 20-vjeçare kundër talebanëve, të cilët tashmë janë rikthyer në pushtet.
Sipas mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe familjarëve të të ndaluarve, fluturimi me avion drejt Pakistanit, për të cilin nuk është bërë njoftim publik, mund të kryhet që të hënën.
Për dekada të tëra, Shtetet e Bashkuara kanë mirëpritur afganët e larguar nga vendi i tyre për shkak të luftës dhe paqëndrueshmërisë politike; mes tyre edhe dhjetëra mijëra persona që u larguan pas tërheqjes kaotike të forcave amerikane në vitin 2021.
Kur u rikthye në detyrë vitin e kaluar, presidenti Donald Trump pezulloi pranimin e afganëve dhe refugjatëve të tjerë, si pjesë e një politike më të gjerë për ashpërsimin e masave ndaj emigracionit.
Nëse Shtetet e Bashkuara i dërgojnë afganët e ndaluar në Pakistan, ka pak gjasa që ata të qëndrojnë atje për një kohë të gjatë.
Pakistani, i cili ka strehuar miliona refugjatë afganë për dekada të tëra, nisi një fushatë të gjerë në vitin 2023, duke ushtruar presion mbi qindra mijëra afganë që të largohen nga vendi, ndërsa të tjerë i dëboi me forcë.
Ata po mbërrijnë në një Afganistan të goditur nga kriza të shumta humanitare, përfshirë kequshqyerjen e përhapur, si dhe një konflikt të vazhdueshëm ushtarak me Pakistanin fqinj dhe një kufizim drastik të të drejtave të grave.
Klan News
starnews.al
