SHBA-ja vendos sanksione të reja ndaj Iranit
Shtetet e Bashkuara më 10 shtator vendosën sanksione të reja ndaj Iranit në përgjigje ndaj mbështetjes ushtarake që Teherani i jep Rusisë, përfshirë edhe akuzat e fundit për dërgesa të raketave balistike që Moska t’i përdorë në pushtimin e saj të Ukrainës.
Departamenti amerikan i Thesarit ka shënjestruar me sanksione dhjetë individë dhe gjashtë entitete me bazë në Iran dhe Rusi dhe ka identifikuar katër anije si prona të bllokuara, që sipas Thesarit po i ndihmojnë Iranit në dërgimin e komponentëve të armëve dhe sistemeve të armëve në Rusi. Armët, që SHBA-ja tha se janë transferuar, përfshijnë dronë dhe raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi (CRBMs).
“Në fund të vitit 2023, Irani dhe Rusia nënshkruan kontratë për furnizimin e qindra raketave. Në verën e vitit 2024, personeli ushtarak rus u trajnua për përdorimin e raketave të llojit CBRM të Iranit nga personeli iranian”, tha Thesari përmes një deklarate, duke shtuar se Rusia ka pranuar dërgesën e parë me raketa të tilla nga Irani më herët gjatë këtij muaji.
Thesari tha se Iran Air – kompania shtetërore ajrore – është një prej entiteteve të sanksionuara. Sipas Uashingtonit, veprimet e tij kundër kësaj kompanie ajrore dhe entiteteve të tjerë, individëve dhe anijeve po bëhen njëkohësisht me veprimet që po ndërmerren nga partnerët ndërkombëtarë.
Njoftimi vjen pasi SHBA-ja dhe aleatët e saj kyçë evropianë e akuzuan Iranin për përshkallëzim të rrezikshëm të aktiviteteve malinje që kërcënojnë sigurinë evropiane përmes furnizimit të Rusisë me raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe homologu i tij britanik, David Lammy, zyrtarisht akuzuan Iranin se ka transferuar raketa në Rusi.
“Rusia veçse ka pranuar dërgesa të këtyre raketave balistike iraniane dhe me gjasë do t’i përdorë ato brenda javësh në Ukrainë, kundër ukrainasve”, tha Blinken më 10 shtator në Londër.
Kremlini ende nuk ka reaguar për këtë deklaratë të Blinkenit. Një ditë më herët, Rusia nuk mohoi në mënyrë eksplicite akuzat se ka pranuar raketa iraniane dhe në vend të kësaj, Moska vuri në pah bashkëpunimin me Teheranin, duke thënë se po zhvillon dialogun në të gjitha fushat.
Teherani mohon se furnizon Moskën me raketa.
Edhe Gjermania ka kritikuar Iranin për mbështetjen që i jep “luftës së agresionit” të Rusisë kundër Ukrainës, teksa Ministria e Jashtme gjermane tha se raketat iraniane mund të përdoren për të sulmuar tokën evropiane.
Në një deklaratë të përbashkët, Franca, Gjermania dhe Britania dënuan transferimin e armëve të tilla dhe i cilësuan si “përshkallëzim nga Irani dhe Rusia”, duke shtuar se ky përshkallëzim paraqet “kërcënim direkt për sigurinë evropiane”.
Ekspertët kanë thënë se raketat balistike me rreze të shkurtër veprimi mund të ndihmojnë Moskën në luftën e saj kundër Ukrainës fqinje. Rusia, që ka nisur pushtimin e Ukrainës më 2022, veçse përdor dronë iranianë në fushëbetejë./REL