Aktualitet dhe Lajme

Serbët shfaqin flamurin provokues me hartën e Kosovës, gazetari shqiptar iu bën shqiponjën me duar

Share

Djegia e flamurit shqiptar pas sherrit me tifozët anglezë në rrugët e Gelsenkirchen nuk i mjaftoi huliganëve serbë.

Në kundërshtim me rregulloren e UEFA-s, kanë futur në stadium flamurin me hartë të Kosovës dhe me ngjyra të flamurit serb, në të cilin shkruanin “Nuk ka dorëzim” në gjuhën serbe.

Ky është provokimi i radhës nga huliganët serbë, të cilët në ngjarje dhe evente të mëdha sportive shfaqin flamurin që e paraqet Kosovën si pjesë të Serbisë.

Gjatë 90 minutave, të cilat përfunduan me fitoren 1-0 të Anglisë, serbët për asnjë moment nuk i ndalën koret raciste “Kosova është Serbi”.

Përveç provokimeve ndaj Kosovës, ata vendosën në tribuna flamurin e Rusisë, i cili u përjashtua nga të gjitha garat e UEFA-s pas pushtimit të Ukrainës.

Nga tribuna dëgjoheshin tifozët serbë duke kënduar për Kosovën, ndërsa provokimeve të tyre iu kundërpërgjigj gazetari kosovar Arlind Sadiku, duke bërë me duar simbolin e shqiponjës dykrenare teksa u kthye nga tribuna ku ndodheshin serbët.

Për shkak të gjestit të Sadikut, ka reaguar zëdhënësi i Federatës së Futbollit të Serbisë, Milan Vukoviç, i cili i ka dërguar një notë proteste UEFA-s me kërkesën që gazetari të dënohet.

“Kërkoj një reagim urgjent nga ana juaj, për të respektuar rregullat për anulimin e akreditimit për një të ashtuquajtur gazetar. Ai ofendoi Serbinë, tifozët serbë, poshtëroi përfaqësuesit e UEFA-s dhe mediave. E vetmja gjë që është e drejtë është që ky njeri të dënohet ashpër. Shpresoj për përgjigjen dhe reagimin tuaj sa me shpejt. Mund të shihni një video me një lëvizje të turpshme, joprofesionale dhe mosrespektuese në fushë nga një gazetar, nëse mund ta quani kështu, që ka akreditim nga UEFA. Provokimi në nivel kombëtar është aq i qartë sa nuk më duhet as të shpjegoj pse po e dërgoj këtë e-mail.”

Pavarësisht reagimit të Vukoviç, UEFA mund të nisë procedura disiplinore kundër Federatës Serbe të Futbollit për shkak të flamurit që portretizon Kosovën si pjesë të Serbia dhe koreve raciste.

/a.r


Huazuar nga Javanews.al

Back to top button