Radhë kilometrike në Kapshticë, Tedi Blushi: Institucionet të marrin të gjitha masat për të garantuar lëvizjen e lirë
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka denoncuar nga Kapshtica radhën e gjatë të krijuar, teksa shumë qytetarë shqiptarë kthehen në shtëpi për të festuar Pashkët Ortodokse.
Blushi shprehet se në pikën e kalimit kufitar me Greqinë situata është e rëndë, ndërsa u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse, të çohen në këmbë dhe të marrin të gjitha masat për të garantuar lëvizjen e lirë.
“LIVE nga Kapshtica, në pikën e kalimit kufitar me Greqinë, për të ndjekur nga afër qarkullimin e bashkëkombasve tanë, të cilët po vijnë në Atdhe për të festuar Pashkën e Madhe ortodokse. Situata është e rëndë dhe raportimet bëjnë me dije se shtimi i fluksit në orët e ardhshme do ta bëjë edhe më të vështirë. Nga pika e kalimit kufitar në Kapshticë ju bëj thirrje institucioneve përgjegjëse, të çohen në këmbë dhe të marrin të gjitha masat për të garantuar lëvizjen e lirë. Vuajtjet e qytetarëve në rradhët kilometrike dhe vonesat burokratike në kufi, në Shqipërinë e vitit 2024 janë të patolerueshme!
Çdo shqiptar meriton të trajtohet me dinjitet, jo si njeri pa me shtet dhe pa Atdhe! Një urim të përzemërt për të gjithë bashkëkombasit që po vijnë në këto orë nga jashtë për të festuar me familjet e tyre në Shqipëri: Gëzuar Pashkën! Shëndet, lumturi dhe mbarësi në familjet tuaja! Dramës së madhe të shpopullimit do t’i japim fund me 5 prioritetet e Partisë së Lirisë për 4 milion shqiptarë plus”, shkroi ai në Facebook.