Aktualitet dhe Lajme

QSUT nis hetimin për Onkologjikun, Koçiu: Ndryshime në ligj, ndëshkime më të ashpra për mjekët

Share

Përveç hetimit të nisur nga Prokururia, vetë QSUT ka nisur një hetim administrativ për skandalin e regjistruar të Onkologjiku, ku jetët e njerëzve trajtoheshin nga disa mjekë si mall në tregun e shumicës. Hetimi do të bëhet nga strukturat e brendshme, Auditi dhe drejtoria Anti-korrupsioni.

Gjithashtu, ministrja e shëndetësisë, Albana Koçiu pas mbledhjes së qeverisë, njoftoi se do të ketë ndryshime në ligj për Urdhrin e Mjekut, për sanksione më të forta ndaj bluzave të bardha që nuk bëjnë detyrën.

“Kemi nisur hetim administrativ, krahas hetimit të bërë nga Prokuroria, së bashku me strukturat e brendshme të auditit dhe anti korrupsionit, do të trajtojë shumë aspekt çështjet e organizimit dhe punës në këtë shërbim. Është e patolerushme që mjeku të mund të trajtojë jetën njerëzore si mall në tregun e shumicës dhe për këtë fakt ne do duam të sjellim në një dimesion tjetër bluzat e bardha dhe do të iniciojmë dhe ndryshime ligjore që do ia prezantojmë Kuvendit, do bëjmë amendime në ligjin për urdhrin e mjekut, për të bërë sanksione të forta që ndëshkon këdo që krahas veprimeve të tjera, moralisht nuk kryen detyrën në mënyrë profesionale, gjithashtu, hetimi administrativ do bëjë të mundur dhe ridimensionim të Onkologjikut”, tha Koçiu.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja sqaroi se si do të vijnë këto ndryshime. Ai bëri me dije se këto ndryshime do jenë në aspektin administrative dhe jo penal, e për ta thënë më thjesht dha edhe një shembull.

“Jo ndryshime ligjore në aspektin penal, ministrja do bëjë një rivlerësim të kuadrit ligjor që disiplinon sjelljen e mjekut, pra ndryshime ligjore ne aspektin administrativ, jo në aspektin penal. Të japim një shembull, mund të ndodh që në aspektin penal të lirohet nga akuza, por nuk duhet ta ushtrojë profesionin, nëse është sprovuar shkelja administrative dhe jo penale”, sqaroi Manja.

/a.r


Huazuar nga Javanews.al

Back to top button