Aktualitet dhe Lajme

Qeveria propozon “Paqen Fiskale”: Fshirje e borxheve tatimore më të vjetra se 10 vite për biznesin

Share

Në një takim me biznesin qeveria propozoi një paketë të re të Paqes Fiskale, e cila përfshin faljen e detyrimeve tatimore dhe kamatëvonesave, si pjesë e një marrëveshjeje të re mes shtetit dhe biznesit. Ministrja e Sipërmarrjes dhe Klimës së Biznesit, Delina Ibrahimaj tha se nisma “Paqe Fiskale” me biznesin ka tre komponentë kryesorë, si: Tatimi i dakortësuar mbi fitimin; Rishikimi i pasqyrave financiare për 5 vitet e fundit; Falja e detyrimeve tatimore dhe kamatëvonesave. Sipas saj kjo nismë synon të lehtësojë barrën e akumuluar fiskale të bizneseve gjatë viteve të fundit të vështira ekonomike, përfshirë pasojat e tërmetit të vitit 2019, pandemisë së Covid-19 dhe krizës globale të çmimeve.

Falje e Detyrimeve Tatimore dhe Kamatëvonesave

Paketa përfshin një skemë lehtësuese për borxhet tatimore të së kaluarës, si:

Fshirje e plotë e borxheve tatimore më të vjetra se 10 vite, nëse janë ende të papaguara.

Për detyrimet nga 5 deri në 10 vite: Fshirje 50% e borxhit, nëse paguhet menjëherë.

Fshirje 25% e borxhit, nëse shlyhet me këste brenda 12 muajve. Për borxhet nga 1 deri në 5 vite: Fshirje e gjithë gjobave dhe kamatëvonesave, nëse paguhet detyrimi kryesor.

Për bizneset që nuk mund të paguajnë menjëherë, do të ofrohet mundësia për një marrëveshje 12-mujore dhe përfitimi i faljes deri në 25% të detyrimit.

Ministrja Ibrahimaj e cilësoi këtë si një marrëdhënie të re bashkëpunimi me biznesin, që synon të ndërtojë besim dhe stabilitet ekonomik. “Bizneset do të kenë mundësi të rregullojnë të shkuarën dhe të ecin përpara me më shumë siguri,” u shpreh ajo.

Paketa e paqes me biznesin gjithashtu propozon që mbi fitimin e dakortësuar aplikohet norma e tatim-fitimit prej 15% e cila paguhet me këste. Për çdo fitim shtesë që biznesi zgjedh të deklarojë, aplikohet një tatim prej vetëm 5%. Biznesi përjashtohet nga kontrolli tatimor për periudhën e marrëveshjes .

“Është një marrëveshje që do t’i propozohet çdo biznesi që është subjekt i tatim-fitimit, për një periudhë 3 vjeçare, me të drejtë rishikimi çdo vit. Bizneset që pranojnë të hyjnë në këtë marrëveshje me administratën tatimore do të përjashtohen nga çdo kontroll tatimor, përfshirë kontrollin e thelluar. Nëse biznesi do të vendosë që do të deklarojë një fitim më të lartë se ai i dakordësuar me administratën tatimore, për fitimin shtesë, biznesi do të tatohet me 5%”.

Një masë tjetër e propozuar në këtë paketë është edhe Rishikimi i Pasqyrave Financiare. Për herë të parë, bizneset kanë mundësinë të korrigjojnë deklarimet e së kaluarës pa u penalizuar. Aplikuesit paguajnë vetëm 5% tatim mbi ndryshimet; Asnjë gjobë apo kamatëvonesë nuk aplikohet; Vitet përkatëse nuk do të jenë objekt kontrolli./ Monitor




Huazuar nga albeu.com

Back to top button