“Qetësoi frikën, por çfarë e tërboi”, Salianji: Krimi im, denoncimi me emër i kujtdo që i ka rënë në qafë qytetarëve
Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka zhvilluar ditën e sotme një konferencë për shtyp teksa pritet ekzekutimi i vendimit të caktuar ditën e djeshme për të nga gjykata e Apelit. Salianji tha se është një i dënuar politik me porosi të Ramës dhe urdhër të Xhafajt.
Ai shtoi se Rama u detyrua dje të komentonte një vendim gjyqësor. Gjithashtu Salianji tha se krimi i tij është që ka denoncuar me emër këdo që i ka rënë në qafë qytetarëve.
“Jam një i dënuar politik me porosi të Ramës dhe urdhër të Xhafajt. Dy javë më parë Rama e paralajmëroi dënimin. Siç e ndoqët edhe dje, pse Rama u detyrua dje të komentonte një vendim gjyqësor? Në çdo deklarim të tij të mëparshëm tha nuk komentoj vendimet e gjykatave. Çfarë e detyroi dje të shkelte “standardin” e të ishte i tërbuar nga një vendim gjyqësor. Qetësoi frikën, po çfarë e tërboi.
Në 15 maj 2018 dola në këtë foltore me Bardhin e Alibeaj dhe publikuam vendimin në Itali për dënimin e vëllait të Xhafajt. Pas këtij publikimi si Agron Xhafaj ashtu edhe vëllai i tij ministër e Rama, nuk patën asnjë reagim për tre ditë resht duke u fshehur. Krimi im është që kam denoncuar me emër këdo që i ka rënë në qafë qytetarëve”, tha Salianji.