Proda inspekton punonjësit e Policisë natën e ndërrimit të viteve: 16 qytetarë janë lënduar nga fishekzjarret
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka inspektuar punonjësit e Policisë që ishin në detyrë gjatë natës së ndërrimit të viteve, për të parë nga afër zbatimin në terren të masave të marra.
Gjatë vizitës, ai ka falenderuar dhe uruar punonjësit për angazhimin dhe sakrificën e tyre, duke theksuar se “bukuria e misionit tonë qëndron në sakrificën njerëzore për të mirën e qytetarëve”.
Njëkohësisht, Proda ka përcjellë një mesazh urimi për qytetarët, duke u uruar një vit të mbarë dhe të begatë.
Ai ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe besimit të ndërsjellë, duke garantuar se Policia e Shtetit mbetet maksimalisht e angazhuar në shërbim të qytetarëve dhe e vendosur në luftën ndaj krimit, për të ndërtuar një ambient shoqëror më të sigurt.
Më herët, Drejtori i Përgjithshëm ka dërguar një mesazh të posaçëm për të gjithë punonjësit e Policisë, i cili është shpërndarë në numrin personal të çdo punonjësi:
Mesazhi i Drejtorit të Përgjithshëm:
“Njerëzit janë aseti më i vlefshëm i organizatës tonë. Të falënderoj për përkushtimin tënd ndaj misionit tonë të përbashkët. Urimet më të mira për ty dhe familjen tënde. Gëzuar Vitin e Ri 2025!”
Festimet për ndërrimin e viteve, që u zhvilluan në sheshe në të gjithë vendin kanë kaluar pa incidente. Si pasojë e përdorimit të pakujdesshëm të fishekzjarrëve, deri në këto momente janë dëmtuar lehtë gjithsej 16 shtetas, të cilët pasi kanë marrë ndihmën mjekësore janë larguar për në banesë. Nuk është raportuar asnjë ngjarje serioze, konflikt apo incident, kjo falë qytetarisë dhe masave të marra nga Policia e Shtetit.
Aktualisht shërbimet e Policisë po patrullojnë në qytete, akse rrugore si dhe pranë lokaleve ku vijojnë festimet.
Gëzuar Vitin e Ri 2025!!!