Presidenti serb shpërfill Brukselin, Vuçiç: Do të shkoj në Moskë për paradën e 9 majit

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se do të marrë pjesë në paradën e 9 majit në Moskë. Reagimi i tij vjen pas presioneve të vazhdueshme të Bashkimit Europian, duke e vënë Vuçiç përballë zgjedhjes, ose me BE-në ose me Rusinë.
Në një dalje të fundit televizive, Vuçiç pohoi se ka pasur gjithmonë një marrëdhënie të hapur dhe të ngrohtë me Putin, duke deklaruar edhe një herë se do të shkontë në Moskë, në paradën që shënon 80 vjetorin e fitores mbi fashizmin në Luftën e Dytë Botërore.
“Unë kam pasur gjithmonë një marrëdhënie të hapur, të sinqertë dhe të ngrohtë me Presidentin (i Rusisë, Vladimir) Putin, megjithëse nuk është gjithmonë e lehtë apo e drejtpërdrejtë pasi ne nuk shohim gjithmonë sy për sy, por besojmë njëri-tjetrin kur themi diçka. Tetë muaj më parë, thashë se do të shkoja në Moskë më 9 maj dhe do të shkoj,” tha Vuçiç.
Ai tha se ndoshta do të udhëtojë vetëm në Moskë dhe se pret të përballet me “një breshëri kritikash, si nga jashtë ashtu edhe nga brenda” për udhëtimin.
Vuçiç vuri në dukje se në Moskë, ai do të diskutojë një marrëveshje të re gazi me Putinin dhe do të kërkojë zgjidhje për Industrinë Serbe të Naftës (NIS), e cila është goditur nga sanksionet e SHBA për shkak të pronësisë së saj në shumicë ruse.
“Kam shumë biznes ekonomik në Moskë. Më duhet të flas me Presidentin Putin për marrëveshjen e gazit, pasi duhet ta nënshkruajmë atë deri më 30 maj. Ne gjithashtu duhet të trajtojmë çështjen e kompanisë së naftës dhe të mbulojmë të gjitha temat e tjera,” shtoi ai.