Prej 3 ditësh, vijojnë kërkimet për 29-vjeçarin në Klos! Haki Çako: Operacion shumë i vështirë, do vëmë të gjitha kapacitetet

Kërkimet për gjetjen e e trupit të 29-vjeçarit Ardit Beshiri, vijojnë tashmë prej 3 ditësh, ndërsa në operacionin e kërkim-shpëtimit janë përfshirë forcat e armatosura, banorë të zonës dhe familjarë.
Ndërkohë, kreu i emergjencave civile, Haki Çako ka ndjekur nga afër përpjekjet për gjetjen e 29-vjeçarit. Duke folur për mediat, Çako shprehu ngushëllimet për familjen, teksa bëri me dije se janë angazhuar dhe vijojnë intensivisht kërkimet nga të gjitha strukturat.
Çako theksoi se është një operacion jashtëzakonisht i vështirë, teksa shtoi se janë vënë në punë të gjitha kapacitetet deri në gjetjen e të riut.
“Shprehim ngushëllimet tona për familjen për humbjen e djalit të tyre. Janë angazhuar dhe vijojnë të punojnë intensivisht pothuajse të gjitha strukturat, njësitë e emergjencave civile, të bashkisë, të prefekturës dhe strukturave të tjera qendrore, në drejtimin e ekspertëve. Është një operacion jashtëzakonisht i vështirë, pasi shtrirja e kërkimeve shkon në 4-5 km. Do të vëmë në punë të gjitha kapacitetet deri në gjetjen e të riut.”, tha Çako.
Ngjarja ndodhi të shtunën e kaluar. Shembja e një marivi të madh minerali dhe inertesh zuri poshtë 29-vjeçarin Ardit Beshiri teksa po punonte me fadromë për sistemimin e mineralit të kromit, i cili përpunohej në fabrikën e pasurimit në Qafë Burrel, e cila menaxhohej nga një kompani kineze.