“Politikat e ndjekura, shkatërrimtare!”/ Berisha me fermerët në Elbasan: Bujqësia dhe blegtoria tërësisht të braktisura nga qeveria

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar sot një takim me fermerët në Elbasan, ku ka ngritur shqetësime të forta mbi gjendjen e sektorit të bujqësisë dhe blegtorisë në vend.
Në fjalën e tij, Berisha akuzoi qeverinë për braktisje të plotë të këtij sektori jetik, duke theksuar se politikat e ndjekura kanë dëmtuar rëndë fermerët shqiptarë, të cilët, sipas tij, nuk përfitojnë asnjë mbështetje krahasuar me vendet fqinje.
“Sot sektori i bujqësisë dhe blegtorisë ku punësohen rreth gjysmë milioni shqiptar është një sektor thuajse tërësisht i braktisur nga qeveria. Ky sektor i jep vendit 90 përqind të prodhimit të brendshëm. Ju nuk jeni më pak punëtorë se sa fermerët e Kosovës, Maqedonisë Malit të Zi apo Serbisë.
Sigurisht që doni që fermat tuaja që serat tuaja stalla tuaja të ecin përpara. Por kjo nuk ndodh sepse politika e ndjekur nga kjo qeveri ka qenë shkatërrimtare. Hapi doganat për prodhimet e Serbisë dhe Maqedonisë, fermerët e të cilave subvencionohen deri në 8 herë më shumë se ju”,u shpreh ai.