Policia “blindon” Shkodrën, asgjësohen mijëra rrënjë kanabisi
Një aksion masiv i Policisë së Shtetit po vijon prej dy ditësh në zonën e Dukagjinit në Shkodër.
Mbi 20 mijë rrënjë kanabis sativa dhe fidanë janë gjetur dhe sekuestruar nga ky aksion. Rreth 250 forca policie nga drejtoria vendore e Shkodrës, FNSH e Shkodrës, Lezhës, Fierit dhe forcat RENEA prej vijojnë kontrollet intensive në pjesët malore të Dukagjinit.
Po ashtu janë angazhuar forcat e Ushtrisë shqiptare bashkë me helikopterë, dronë të specializuar për kontrollin e territorit dhe mjete të tjera logjistike në shërbim të policisë për goditjen masive të parcelave me kanabis në zonën e Dukagjinit.
Ky aksion me afro 250 efektivë të Shkodrës dhe disa qyteteve të tjera të Shqipërisë do të vijojë për afro një javë me qëllim goditjen e të gjitha parcelave të drogës.
Këto aksione të përditshme me forca të shtuara po zhvillohen në kuadër të operacionit kombëtar “Territor i Pastër” me qëllim asgjësimin e kanabisit. Gjatë këtij operacioni, forcat e policisë disa herë kanë hasur vështirësi për shkak edhe të terrenit të thyer malor në fshatrat e Dukagjinit.
Ndërkohë deri më tani sipas informacioneve policore nuk ka persona të ndaluar kjo për shkak se kultivuesit e drogës në Dukagjin janë të favorizuar nga terreni i thyer malor dhe sapo konstatojnë policinë largohen në drejtim të paditur duke mos lënë gjurmë.
Gjithsesi forcat e policisë të ndihmuar edhe nga RENEA dhe FNSH janë duke hetuar lidhur me çdo rast për identifikimin e autorëve e më pas gjetjen dhe kapjen e tyre.
Në këto 6 muaj të parë të vitit nga operacionet antikanabis të zhvilluara në qarkun Shkodër, efektivët e policisë kanë arritur që të asgjesojnë afro 170 mijë rrënjë kanabis sativa dhe fidanë dhe po ashtu sasi droge e përpunuar e gatshme për treg.
Operacioni kombëtar “Territor i Pastër” do të vijojë në qarkun Shkodër ku përveç Dukagjinit që është zona më problematike, po ashtu shqetësuese mbeten zonat malore në Malësinë e Madhe, Vau Dejës apo Pukë.
Huazuar nga Javanews.al